Tiranë, 18 prill 2014 – TV News24 dhe Balkanweb kanë publikuar sot videot e dy prej vjedhjeve të kryera nga grabitësi serial, Viktor Gushi, të cilat janë cilësuar nga ekspertët e policisë dhe kriminologët si grabitjet më të shpejta të bankave të kryera në 15 vitet e fundit në Shqipëri.

Viktor Gushi, 47 vjeçari nga Patosi është dënuar me burgim të përjetshëm për 8 vjedhje me armë, dy vjedhje me pasojë vdekjen, pesë vjedhje me armë të mbetura në tentativë, si dhe për tre plagosje të rënda me dashje.

Në dy videot e publikuara Gushi arrin në një shpejtësi rekord dhe pa lënë gjurmë grabitjen e dy filialeve të bankave të nivelit të dytë. Ai realizoi një sërë grabitje bankash dhe arkash kursimi në harkun kohor 2008-2012.

Në videon e parë, grabitja është realizuar nga Gushi për 33 sekonda. Ngjarja është shënuar më 20 qershor të vitit 2008 tek “Zogu i Zi” në Tiranë, ku Viktor Gushi arritur të marrë shumën prej 300 mijë lekësh te rinj. Në largim e sipër nga nxitimi është rrëzuar tek dera e bankës ku për pasojë arma pistoletë që mbante në duar ka realizuar një qitje të pavullnetshme. Ngjarja është zhvilluar nga ora 13:45 min e 51 sekonda deri ne 13:46 minuta e 24 sekonda 

Grabitja e dyte ka ndodhur me datë 21 nëntor 2008, ora 13.40,në kryqëzimin e Rrugës “Bardhyl” me Rrugën “4 Dëshmorët”, Tiranë i pandehuri, i maskuar, ka vjedhur me armë filialin e një banke të nivelit të dytë ku ka marrë shumën prej 800 mijë lekësh. Kjo grabitje ka zgjatur 38 sekonda në total. 

Viktor Gushi u arrestua me datën 28 mars 2012, një ditë pasi kishte vrarë gjatë grabitjes Eleonora Kalocin, arkëtare e një banke të nivelit të dytë në zonën e Sheshit “Shtraus”. Gushi u arrit të identifikohej nga banorët e zonës së “Don Boskos” vetëm pas fotos së publikuar në media ku fytyra e tij ishte fiksuar nga një kamere sigurie gjatë largimit nga vendi i ngjarjes”. 

/balkanweb/