Lushnje, 17 prill 2014 – Festimi i një ditëlindje në Lushnjë ka degjeneruar në rrahje masive mes të ftuarve dhe uniformave blu. Efektivët e policisë janë paraqitur rreth orës 2 të mëngjesit, në lokalin ku festohej dhe kanë kërkuar të ulej muzika pas ankesave të marra nga banorët përreth, kërkesë e cila u pranua nga pronarët e lokalit dhe të ftuarve, por që në fakt ishte vetëm një mënyrë për të larguar patrullën së policisë.Tre policët janë rikthyer sërish në lokal pas rreth 15 minutash, por herën e dytë ata janë sulmuar me mjete të forta nga persona,t që ndodheshin në gjendje të dehur.
Dhunuesit kanë dëmtuar edhe mjetet e policisë. Për shkak të numrit të madh të personave, që kundërshtuan me dhunë forcat e Rendit, në lokalin që ndodhet në qendër të qytetit mbërritën repartet e Forcave të Ndërhyrjes së Shpejtë të Fierit, që vunë situatën nën kontroll, si dhe arrestuan disa persona.
Dëmet kanë qenë të shumta si në ambjentet e brendshme të lokalit ashtu dhe në automjetet e policisë, ndërsa tre efektivë janë plagosur dhe ndodhen në spital. E ndërsa çdo gjë ka shkuar drejt normalizimit, tre vëllezërit Xhepexhiu janë sërish bashkë, por këtë herë pas hekurave, ku në vend të qirinjve të tortës do të përballen me veprat penale: “Prishje të rendit e qetësisë publike”, “Kundërshtim të punonjësit të rendit publik”, “Goditje për shkak të detyrës”, si dhe “Shkatërrim prone”.
/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





