Greqi, 17 prill 2014 – Një i burgosur shqiptar është vrarë me thikë në një burg në Patra. Sipas njoftimeve të medieve greke krimi ka ndodhur në korridorin e burgut. Viktimë ka mbetur kushëriri i Alket Rizait, të dënuarit shqiptar në Greqi, i cili njihet për arratisjet nga burgu. Sipas gazetës “Patras Time”, ngjarja ka ndodhur në orën 9:45, kur 24-vjeçari po blinte disa perime ndërsa i dënuari me burgim të përjetshëm po dilte nga qelia e tij për të takuar avokatin e tij. Raportohet se ngjarja mund të jetë e planifikuar nga autori, pasi ia kishte me vete thikën e improvizuar. Në momentin që ka parë 24-vjeçarin, ai i ka folur dhe e ka goditur menjëherë.
Mediat greke bëjnë të ditur gjithashtu se autori i krimit ka qenë një i dënuar shqiptar me burgim të përjetshëm. Mësohet se 32 vjeçari ka goditur 6 herë me thikë kushëririn e Rizait, që ndodhej në institucionin e vuajtjes së dënimit, pasi ishte dënuar nga drejtësia greke 12 vjet burg për grabitje. Autori i krimit ka përdorur një thikë të improvizuar për të goditur 24-vjeçarin, i cili ndërroi jetë në spital nga plagët e marra. Nga hetimi paraprak thuhet se dy të dënuarit shqiptarë vazhdimisht kanë pasur konflikte mes tyre.
/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





