Spanjë, 17 prill 2014 – Di Maria dhe Bale i kanë dhënë Real Madrid Kupën e mbretit në një finale spektakolare ndaj Barcelonës, ku në fund shifrat ishin 2-1 për Los Blancos.  Në këtë ndeshje, Real Madrid ishte pa yllin e saj, Cristiano Ronaldo, i cili mungoi për shkak të një tërheqje muskulore. Por, pavarësisht kësaj, madrilenët triumfuan në Copa del Ray. Ndërsa, tani Barcelona mbetet vetëm në garë për titullin e kampionit në La Liga, pasi është eliminuar nga Liga e Kampionëve, derisa Copa del Ray shkoi në duart e rivalit Real Madrid. Jashtë Championsit, më pas humbja me Granadan që komplikoi edhe më shumë pozicionin në kampionat. Grushtin e radhës Barcelona e mori në finalen e Kupës së Mbretit me disfatën kundër Realit të Madridit në Mestalla në një takim që nxori në dukje problemet e blaugranave, si dhe ka shtuar pasigurinë për të ardhmen. Gjithsesi trajneri Tata Martino është i bindur se fati i tij nuk do të ndikohet nga kjo El Clasico, teksa tentoi t’i japë moral skuadrës për një sprint të fundit deri në finish të sezonit. “Ndiej keqardhje të thellë për këtë humbje, është një goditje tepër e rëndë. Falenderoj tifozët që erdhën dhe na mbështetën dhe në të njëjtën kohë u kërkoj ndjesë që nuk mundëm të fitonim. Panorama ekzistuese nuk është në favorin tonë, por do të japim gjithçka nga potenciali ynë deri në fund të sezonit. Kjo skuadër është e njohur për aftësitë në të shënuar, krejt papritur golat avulluan. Një e ardhme e ndritur ndodhet përpara, edhe pse tani nuk jemi në formë të mirë. Përsa i përket të ardhmes sime, nuk mendoj se varet nga kjo humbje apo nga ato të javës së shkuar”. I trishtuar për disfatën në Kupën e Mbretit foli edhe Xavi Hernandez. Mesfushori i katalanasve tha se finalja në Mestalla u vendos nga detajet, duke pranuar se Barcelona e pagoi kryesisht për gabimet e veta në lojë. I pyetur për këtë jave tragjike të blaugranave, kapiteni deklaroi se skuadrës i kanë munguar golat në momentet më vendimtare, në një kohë kur rastet për të shënuar kanë qënë të shumta. Në garë për një trofe të vetëm, Xavi pranoi se lufta në La Liga është shumë e vështirë, por kërkoi nga ekipi të qëndrojë i bashkuar deri në takimin e fundit të kampionatit.

/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/