Tiranë, 16 prill 2014 – Ish-ministri i Mbrojtjes, Arben Imami deklaroi sot në një prononcim për mediat se kryeministri Rama dhe dy ministrat Tahiri dhe Kodheli duhet t’u përgjigjen akuzave për përfshirjen e ushtrisë në trafikun e drogës.
Sipas Imamit, kryeministri Rama dhe ministrat e tij nuk mund të fshihen pas Forcave të Armatosura.
“Kryeministri dhe dy ministrat e tij, ai i Brendshëm dhe i Mbrojtjes, nuk mund të fshihen së pari pas Forcave të Armatosura. Kjo është një çështje që lidhet drejtpërdrejt me administrimin dhe politikat të cilat kanë qenë tërësisht tolerante ndaj narkotikëve në këto muaj të qeverisë socialiste”,- tha Imami.
Sipas tij, “në mandatin e Partisë Demokratike, nuk kemi pasur asnjë të dhënë për përdorimin e infrastrukturës ushtarake, e përsëris, për trafikimin e lëndëve narkotike. Ne nuk kemi pasur asnjë të dhënë dhe asnjë informacion”.
Një ditë më parë Komisioni parlamentar i Sigurisë rrëzoi me votat e mazhorancës dhe pa praninë e opozitës, kërkesën e PD-së për të thirrur në seancë urgjente dëgjimore, ministren e Mbrojtjes, Mimi Kodheli, lidhur me akuzat se strukturat e Forcave të Armatosura janë përfshirë në trafikun e drogës.
/agjencia e lajmeve "Dyrrah"/





