·        Njoftojmë KLD-në dhe Prokurorinë e Përgjithshme: Fakti i bujshëm dhe i paprecedent në gjyqësor ka ndodhur në Apelin e Tiranës më 8 shtator 2009 në saje të “magjisë” së gjyqtarëve Dalip Bushi, Flutra Skënderi dhe Gjin Gjoni për 14 600 metra katrorë në ish-parcelën me nr. 40 midis fshatrave Picar dhe Gjokaj në bashkinë e Vorës. Ja faksimilet që dokumentojnë krimin e togave të zeza

 

Nga Thanas Mustaqi

 

DURRËS, 16 prill 2014 –  “Magjistarët” e drejtësisë shqiptare Dalip Bushi dhe Gjin Gjoni i drejtohen në gjyq mbi 10 herë të personit të gjallë: “i ndjerë”, fakti i bujshëm dhe i paprecedent në gjyqësor, ka ndodhur në Apelin e Tiranës më 8 shtator 2009.

Në procesverbalin e seancës gjyqësore në Apelin e Tiranës më 18 qershor 2009 është regjistruar se ka qenë i pranishëm S. D., si përfaqësues i paditësit A. D.. Në këtë seancë S. D. ka kërkuar përjashtimin nga trupi gjykues të dy gjyqtarëve, kërkesë, e cila u pranua.

Mirëpo në pjesën arsyetuese të vendimit gjyqësor nr. 984, datë 8 shtator 2009, del se S. D. paska vdekur: është përmendur mbi 10 herë “i ndjeri S. D.” në prani të tij!

As fantazia më e ndezur e ndonjë humoristi nuk mund të krijonte një situatë të tillë ku të gjallit t’i drejtohesh: “O i ndjerë”. Kështu kanë vepruar para 5 vjetësh tri toga të zeza të Gjykatës së Apelit të Tiranës: Dalip Bushi, Flutra Skënderi dhe Gjin Gjoni.

Këtu nuk ndodhemi përpara ndonjë gabimi material apo ndonjë pakujdesie në arsyetimin gjyqësor.

Kjo për faktin se S. D. ka qenë i pranishëm në seancën gjyqësore të 8 shtatorit 2009, teksa gjykata e Apelit e shpall të vdekur, kur ikja nga kjo botë e tij ka ndodhur më 15 nëntor 2012 (shih faksimilen e certifikatës së vdekjes së lëshuar nga bashkia e Vorës), tre vjet e ca më vonë!

Dhe më e “bukura” është se ka qenë vetë S. D. ai, që ka kërkuar nga kryesuesi i seancës Dalip Bushi përjashtimin nga trupi gjykues të dy gjyqtarëve (shih faksimilen), të cilët u zëvendësuan nga Flutura Skënderi dhe Gjin Gjoni. Dhe kjo treshe e shpall si “të ndjerë” pikërisht kërkuesin e përjashtimit të dy gjyqtarëve.

Dhe pa qenë jurist, gjithkush do të habitej me këtë sakrilegj.

Por a është sakrilegj apo veprim i ndërgjegjshëm i kurdisur nga i gjalli “i ndjerë” dhe trojka e Apelit të Tiranës?

“Dyrrah”-u disponon dosjen e plotë të një ngjarjeje me shtrirje mbi 20-vjeçare. Por, për të mos e lodhur lexuesin me hollësira dhe pa marrë përsipër rolin e prokurorit dhe gjykatësit, po përmendim disa momente, kjo për të vënë në dijeni edhe Këshillin e Lartë të Drejtësisë, që vë të reformojë drejtësinë shqiptare një njeri si Gjin Gjoni, i cili shndërron si me magji të gjallin në të vdekur.

Me vendimin nr. 737 datë 2 korrik 2004 të gjykatës së rrethit gjyqësor të Tiranës, lënë në fuqi me vendimin nr. 375 datë 11 qershor 2008 të gjykatës së Apelit të Tiranës, vendime të lëna në fuqi edhe nga Gjykata e Lartë, S. D. u deklarua fajtor dhe u dënua me gjobë për falsifikimin e Aktit të Marrjes së Tokës në Pronësi (AMTP) nr. 89, datë 17 mars 1993 për 14 600 metra katrorë në ish-parcelën me nr. 40 midis fshatrave Picar dhe Gjokaj të bashkisë së Vorës.

Sipas ankueses Xhemile Muça, në kundërshtim me nenin 70 të Kodit të Procedurës Civile, që lidhet me AMTP-në, megjithëse ishin të detyruar të merrnin në konsideratë falsifikimin, gjykatësit e Apelit Dalip Bushi, Flutra Skënderi dhe Gjin Gjoni e anashkaluan këtë fakt.

Sipas Muçës, qëllimisht u arsyetua se S. D. ishte i vdekur teksa ishte i gjallë kur po zhvillohej gjyqi në Apel, me qëllim që të ligjëroheshin tre djemtë e tij në ngritjen e padisë.

Në fakt, padinë duhej ta ngrinte S. D., thjesht se AMPTP-ja nr. 89, datë 17 mars 1993 ka dalë në emër dhe favor të atij vetë.

Dhe “gallata” më e madhe ka të bëjë me faktin se z. Dalip Bushi, kryesuesi i treshes që shpalli të vdekur të pranishmin në sallë, ka qenë në trupin gjykues në vendimin nr. 375 datë 11 qershor 2008 të Apelit të Tiranës, kur është dënuar S. D. për falsifikimin e AMTP-së!

Po z. Dalip Bushi ishte gjyqtar në çështjen civile që i përket vendimit gjyqësor nr. 984 datë 8 shtator 2009 të Apelit të Tiranës, ku ai mban qëndrim tjetër ndaj AMTP-së.

/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/