Tiranë, 16 prill 2014 – Një pjesë e anëtarësisë së degës së Elbasanit japin alarmin se në qarkun e tyre po krijohet një grup anti-Rama dhe anti-PS.

Sipas opozita.com, shqetësimi është ngritur nga rreth 800 anëtarë të PS-së, të cilët thonë se pas kësaj fshihet deputeti i zonës Ben Blushi së bashku me drejtuesit e lartë të PS së qarkut, të cilët pretendojnë se kryeministri Rama po shkatërron Partinë Socialiste.

Në letrën e dërguar më 14 prill, një pjesë e anëtarësisë së PS-së së Elbasanit, ankohet se Blushi po emëron në poste kyçe në qark, individë që nuk janë aspak të përshtatshëm për detyrat dhe për më tepër nuk kanë asnjë kontribut në PS.

Në letër, ankesa ka edhe për kryetarin e PS së Elbasnait Astrit Halili, për të cilin kërkohet shkarkimi i menjëhershëm, pasi po bashkëpunon me Blushin për krijimin e grupit anti-Rama në Elbasan.

Anëtarët që kanë firmosur letrën, kërkojnë ndërhyrjen e kryetarit Rama dhe strukturave qendrore për ti vënë fre kësaj përçarje që po shkaktohet në bazën e Elbasanit, por që rrezikon të gjithë partinë.

Ben Blushi njihet si një ndër zërat më kritikë brenda PS-së të kryetarit Rama.

/opozita.com/