Durrës, 16 prill 2014 – Familjarë dhe të afërm të 13-vjeçarit që u gjet i varur në degë të fikut, pak metra larg banesës së tij në sektorin “Rinia”, dyshojnë se shkaku që ka shtyrë Bledarin drejt vetëflijimit ka qenë takimi pak ditë më parë me dëshmitarët e Jehovait. Sipas “Panorama”, një ditë pas vdekjes tragjike të 13-vjeçarit Bledar Xhajxha në sektorin “Rinia” të Durrësit, familjarët bëjnë apel që drejtësia të zbardhë shkakun e kësaj vetëvrasjeje.

Ata janë akoma të shokuar dhe nuk e kuptojnë veprimin e djalit të tyre, i cili nuk ka pasur asnjë arsye që t’i jepte fund jetës. Të afërm të familjes Xhajxha janë me origjinë nga Dibra dhe të vendosur prej disa vitesh në fshatin “Rinia”, 12 km në veri të qytetit të Durrësit. Familjarët kanë konstatuar me dhimbje se disa ditë para se të ndodhte ngjarja e rëndë, Bledari ishte takuar me praktikantë të një sekti fetar, të cilët pas një bisede të shkurtër, i kanë dhënë disa revista që t’i lexonte në shtëpi. Këtë gjë e pohon xhaxhai dhe burri i tezes të viktimës, sipas të cilëve pranë vendit ku u gjet i varur 13-vjeçari janë gjetur fletëpalosje me përmbajtje fetare. Ata kërkojnë nga prokuroria që të nisen hetimet dhe të gjenden shkaktarët e vdekjes tragjike të Bledarit.

“Nuk kemi asnjë dyshim tjetër, jemi 100% të bindur se Bledi ka besuar te bota e përtejme dhe prandaj e ka bërë atë veprim. Ditën e shtunë kanë qenë dëshmitarët e Jehovait këtej vërdallë dhe janë takuar edhe me djalin. Ky mendojmë se mund të jetë shkaku kryesor, pasi fletëpalosjet që gjetëm pranë vendit ku u gjet i varur në fik kishin përmbajtje të tillë: Jezusi ka vdekur duke perënduar dielli dhe ka shkuar në parajsë. Pas vdekjes do të ringjallet prapë. E kishte pranë vetes atë fletë. Ashtu siç thoshin letra, ka varur veten…”,- thotë familjarët e djalit të mitur që kreu aktin vetëflijues pasditen e së hënës, në afërsi të shtëpisë së tij, në sektorin Rinia, Durrës. 

/gazeta "Panorama"/