16 prill 2014 – Aktiviteti fizik nuk ka të njëjtin ndikim në organizëm në orë të ndryshme të ditës. Personat që e ushtrojnë sportin në mëngjes nuk kanë të njëjtat efekte me ata që e ushtrojnë pasdite apo në mbrëmje.
Në mëngjes për të rënë në peshë
Sipas një studimi amerikan, nëse bëni jogging pas zgjimit para se të hani mëngjesin, do të mësoheni më lehtë me ushtrimet fizike. Marrja me sport me stomakun bosh ndihmon gjithashtu për rënien në peshë dhe për këtë mjaftojnë 30 deri në 45 minuta aktivitet fizik. Orët më të përshtatshme janë nga ora 6 deri në orën 8 të mëngjesit, pikërisht atëherë kur kortizoli, hormoni i stresit, është në nivelin e tij më të lartë. Ai stimulon metabolizmin e yndyrnave dhe glucideve, duke i kthyer në energji të mirë, e cila harxhohet gjatë aktivitetit fizik.
Një avantazh tjetër i sportit të mëngjesit është fakti se ai redukton oreksin gjatë gjithë ditës.
Sporti pasdite për ekuilibrimin e orës biologjike
Aktiviteti fizik i pasdites riekuilibron ritmin circadian (alternimin e zgjimit me gjumin), për shembull, kur punohet në orë të vona, sipas një studimi të Universitetit të Kalifornisë. Në shumë studime tregohet rreziku i çrregullimit të orës biologjike: diabet, obezitet, humbje e memories, prishje e humorit.
Sporti në mbrëmje për t'u relaksuar
Marrja me sport në fund të ditës bën të mundur që të shkarkohet tensioni i grumbulluar gjatë ditës. Ushtrimi i sportit pas punës, mundësisht nga ora 17 deri në orën 19, është orari më i mirë për t'u marrë me një aktivitet intensiv, pasi temperatura e trupit është në maksimumin e saj dhe ju jeni në momentin më të mirë për të përmirësuar performancat tuaja, sipas një studimi të Clinical Research Centre të Universitetit të Chicago-s.
Por kujdes! Pas orës 19, nuk duhet të ushtroni një aktivitet fizik tepër intensiv, pasi rritja e tepërt e temperaturës trupore bën që të mos ju zërë gjumi.
/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





