Tiranë, 14 prill 2014– Kryetari i Partisë Demokratike dhe Bashkisë së Tiranës, Lulzim Basha, tha se PD dhe të zgjedhurit e saj vendorë kërkojnë reformë të plotë dhe jo një rivizatim kufijsh, që kënaq orekset elektorale të Ramës dhe Metës. Do të ketë revoltë mbarëpopllore, nëse reforma do të jetë e njëanshme dhe do të vijojë diskriminimi me fonde i njësive vendore të qeverisura prej demokratëve–tha Basha. Nuk ka se si shpjegohet, sipas Bashës, angazhimi i shumicës qeverisëse për të bërë vetëm ndarje territori, pa prekur asnjë prej ligjeve të tjera bazë të decentralizimit, Kodit Zgjedhor apo Kushtetutës.
“Jemi për konsensus dhe kërkojmë konsensus por në skenarin e arrogancës, shurdhërisë së qeverisë jemi gati për reagim. Jo pseudoreformë, jo njëanshmëri, jo pa qytetarët. Bashkëpunojmë për një reformë të vërtetë vetëm për konsensus politik, për dhe me qytetarët. Komisionit parlamentar në të cilin na ftojnë të bëhemi pjesë i kanë dhënë vetëm një detyrë të bëjë hartën e re të ndarjes administrative. Shumica Rama-Meta as nuk dëgjon, as nuk shikon, por vazhdon me propagandimin e rëndësisë jetike të ndryshimit të hartës. Gjithë ky nxitim padisin para opinionit publik ashiqare padurimin e tyre për të shfrytëzuar reformën për të bërë një hartë të re elektorale, në funksion të deformimit të zgjedhjeve vendore”,– deklaroi Basha.
Kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha deklaroi se nuk e pranon ultimatumin e mazhorancës për të marrë pjesë në Komisionin e Reformës territoriale deri të enjten.
“Prej disa javësh po na kërcënojnë se nuk presin pa fund. Çështë kjo thirrje, pse na thonë do ju presim dhe na bëjnë presion, kur nga ana tjetër nuk japin konsensus? Konsensus nuk ka na thonë, po ejani të bëjmë vitrinën e konsensusit. Nuk na kanë dhënë asgjë. Asgjë më pak dhe më shuëm se konsensusi nuk duhet për këtë reformë. Është turp për këdo që e dëgjon që opozitës i kemi ofruar konsensus e pastaj të deklarosh nuk japim konsensus sepse opozita e do për të bllokur. Rama bëhet qesharak në sytë e publikut dhe ndërkombëtarëve. Po rrezikohet përballja dhe përplasja me opozitën me qëllimin e vetëm për ta bërë të njëanshme këtë reformë. Dyshaj Rama-Meta po kënaqin orekset e tyre politike. Duan të krijojnë një hartë që ju jep avantazhe në zgjedhjet e ardhshme”,-tha ai.
Sipas Bashës, kjo është një reformë që nuk mund të kalojë edhe pa mendim të qytetarëve e cila nuk mund të jetë si ajo që po bën ministri Bledi Çuçi.
/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





