Durrës, 14 prill 2014 – Në orët e para të mëngjesit të ditës së hënë, policia e Durrësit ka arrestuar një 27 vjeçar që akuzohet se ka shfrytëzuar si prostitutë një vajzë të re nga qyteti i Fierit.
Policia e Durrësit bën të ditur se në pranga ka përfunduar 27 vjeçari Eglis Barushi, banues në Durrës, i cili për rreth një muaj e gjysëm ka shfrytëzuar një bashkëmoshataren e tij nëpër hotele të ndryshme të qytetit bregdetar si prostitutë.
Mësohet se vajza e re, emri i së cilës nuk bëhet i ditur, ishte shpallur në kërkim nga policia që në datë 10 mars të këtij viti, pasi ishte larguar nga shtëpia e saj në qytetin e Fierit dhe familjarët e saj nuk dinin asgjë për vendndodhjen e saj.
Në bazë të hetimit të kryer nga policia, mësohet se 27 vjeçarja e ka ushtruar profesionin e prostitutës në hotele të ndryshme në lagjet nr.1 dhe nr.13 të qytetit bregdetar. Për një raport seksual, ajo paguhej 1000-3000 lekë, para këto që më pas ndaheshin mes Barushit dhe vajzës.
27 vjeçari Barushi ishte personi që i siguronte klientelën prostitutës si dhe i siguronte transportin në hotelet e ndryshme ku fiksoheshin takimet.
/agjencia e lajmeve “Dyrrah’/





