Malajzi, 13 prill 2014 – Kur kanë kaluar mëse 36 ditë nga zhdukja e avionit MH370 me 239 persona në bord, hipoteza të tjera ngrihen nga hetuesit duke e bërë edhe më misterioze zhdukjen e këtij mjeti fluturues.

Së fundmi, hetuesit ushtarakë në Malajzi mendojnë se avioni po fluturonte si një aeroplan ushtarak, mesa duket me qëllimin për të shmangur radarët. Avioni u ngjit shumë lart fillimisht, rreth 3 mijë metra mbi lartësinë normale dhe më pas zbriti shumë poshtë, rreth 1500 metra lartësi.

Por megjithë teoritë e shumta kospirative, fati i avionit mbetet ende i pazbardhur. Me dhjetëra anije dhe avionë të angazhuar në 36 ditë kërkime dhe avioni nuk është gjetur ende. Madje tashmë mendohet se edhe kutitë e zeza të tij kanë dalë jashtë funksionit, pasi ato mund të qëndrojnë aktive deri në 30 ditë.

Ndërkohë që teknologjia ka arritur kulmin e zhvillimit dhe satelitët na monitorojnë nga hapësira, misteri i zhdukjes së avionit të nisur me datë 8 mars nga aeroporti i Kuala Lumpurit mund të mbetet i tillë edhe për shumë kohë.

/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/