Durrës, 13 prill 2014 – Një 71 vjeçar durrsak ka rënë pre e një mashtruesi që i ka premtuar fitimin e një televizori plazma dhe i ka marrë 30 mijë lekë.

Mësohet se 71 vjeçari B.Gj. është mashtruar rreth 10 ditë më parë nga një person i panjohur, që i ka premtuar se do ta bënte pjesë të një oferte, në bazë të së cilës fitoje një televizor plazma në dyqanin e Neptun në QTU.

Mashtruesi i ka kërkuar 71 vjeçari një shumë prej 30 mijë lekësh, ndërkohë që i ka dhënë 7 tenxhere, që sipas tij ishin pjesë e ofertës fituese. I kënaqur me ofertën që i është bërë i moshuari ka pranuar dhe në mirëbesim i ka dhënë shumën e kërkuar personit të panjohur.

Pas kësaj, 71 vjeçari është drejtuar në Tiranë, në qendrën tregtare ku i ishte premtuar marrja e çmimit, televizorit plazma. Po ndërsa priste të tërhiqte televizorin, i moshuari është njoftuar nga personeli i dyqanit se ata nuk kishin bërë asnjë ofertë të tillë.

Në ato momente, i moshuari ka kuptuar se ishte mashtruar, por duke mos e njohur personin që i kishte marrë shumën e parave, ai nuk mund t’i kërkonte rikthimin e vlerës monetare. I ndodhur në të tilla kushte, ai i është drejtuar komisariatit të policisë së Durrësit për të bërë denoncimin. Policia së bashku me prokurorinë kanë nisur hetimet për identifikimin dhe kapjen e mashtruesit të 71 vjeçarit.

/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/