TIRANE – Aleanca Kuq e Zi paralajmëron një protestë, të hënën në orën 13:00, përpara Ministrisë së Punëve të Brendshme në Tiranë, kundër dhunës së ushtruar nga policia në protestën e zhvilluar një ditë më parë në kryeqytet, për vrasjen e të burgosurit Ilia Kareli në Greqi. 

Kryetari i AK-së, Kreshnik Spahiu u bëri thirrje aktivistëve të Aleancës dhe qytetarëve që të mblidhen në një protestë paqësore për të kërkuar largimin e ministrit të Brendshëm Saimir Tahiri. Sipas Spahiut, ministri Tahiri tregoi se është avokat i gardianëve grek, që torturuan deri në vdekje një shtetas shqiptar. 

“Sot po deklaroj sms-të që policia më përgjoi dje. U bëj thirrje qytetarëve që të dilni nesër të rrëzoni ministrin Sajmir Tahiri, që nuk po reagon ndaj krimeve të gardianëve grekë. Ata janë hysmeqarë të diplomacisë ultra-nacionalistëve grekë. Dilni nesër që të protestojmë për rrëzimin e Ministrit të Brendshëm, Sajmir Tahiri”, deklaroi kreu i AK-së, Kreshnik Spahiu.

Ndërkaq në rrjetet sociale është publikuar një video amatore ku duken pamje të policisë duke shoqëruar protestuesit të cilët nuk kishin marrë leje për protestë para ambasadës greke por tek piramida.
 
/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/