Itali, 13 prill 2014 – Një bukëpjekës, shqiptar i Maqedonisë, është dënuar në Itali me 16 vjet burg, pasi rrahu brutalisht të shoqen me okllai. Gruaja humbi jetën si pasojë e dhunës ekstreme që bashkëshorti i saj ushtroi mbi të.
Ngjarja ka ndodhur vitin e kaluar në qytetin italian Rieti, ndërsa autori i dënuar është Lazim Shabani, 42 vjeç. Ai u njoh fajtor nga gjykata për vrasjen e gruas së tij 37 vjeçare Shedine Mamedani në apartamentin e vogël ku banonte çifti.
Burri pretendonte se gruaja e tij e tradhtonte dhe për këtë qëllim e kishte rrahur duke e goditur më shumë se 7 herë në kokë me okllai. Madje gjatë rrahjes ai ishte munduar të xhironte skenën me telefonin e tij celular. Ndërsa e godiste, ai i kërkonte gruas të pranonte tradhtinë, por kjo e fundit veç qante dhe ulërinte nga goditjet e bashkëshortit të saj.
Mësohet se 42 vjeçari Shabani ishte mjaft xheloz ndaj gruas, aq sa çdo ditë para se të shkonte në punë vendoste në pjesën e jashtme të derës një shirit të zi ngjitës. Nëse kur kthehej nga puna shiriti kishte lëvizur kjo do të thoshte se gruaja e tij kishte dalë nga shtëpia.
/agjencia e lajmeve "Dyrrah"/





