Durrës, 12 prill 2014 – Në orët e para të mëngjesit të sotëm, në murin rrethues të një shtëpie në lagjen nr.2 të qytetit të Durrësit, ka shpërthyer një sasi eksplozivi.
Ka qenë ora rreth 03.45 e mëngjesit, kur një shpërthim i fortë ka tronditur banorët e lagjes. Mësohet se në një distancë rreth 2 metra larg murit rrethues të shtëpisë së 57 vjeçarit B.Gj. ka shpërthyer një sasi tritoli, që fatmirësisht nuk ka shkaktuar dëme në njerëz dhe materiale.
Të alarmuar, banorët e shtëpisë kanë njoftuar menjëherë sallën operative për ngjarjen. Një grup hetimor ka mbërritur në vendngjarje dhe ka dokumentuar provat materiale të gjetura aty.
Sipas grupit hetimor, sasia e eksplozivit që ka shpërthyer ka qenë e vogël. Policia po punon për identifikimin dhe prangosjen e autorëve të kësaj ngjarjeje. Grupi hetimor ka marrë në pyetje edhe kryefamiljarin B.Gj. për të zbardhur ndonjë konflikt të mundshëm të tij me persona të tjerë. Në dëshminë e tij dhënë në polici, 57 vjeçari B.Gj. ka deklaruar se nuk ka konflikte me ndonjë person dhe nuk di kush mund të ketë ndërmarrë një veprim të tillë.
/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





