Durrës, 12 prill 2014 – 4 të rinj nga Durrësi janë arrestuar në flagrancë nga policia, pasi nën efektin e alkoolit kanë shkatërruar një lokal në lagjen nr.1 të qytetit.

Burime policore bëjnë të ditur se në pranga kanë përfunduar shtetasit Asllan Kertusha, 27 vjeç; Denis Shtraza, 30 vjeç; Ilia Shtraza, 38 vjeç dhe Miklovan Lazri, 24 vjeç, të gjithë nga Durrësi.

Arrestimi i tyre u bë pasi rreth orës 16.45, të ditës së premte në ambientet e lokal ”Pop Corn” në lagjen nr.1 Durrës, Asllan Kërtusha, së bashku me Denis e Ilia Shtraza, duke qenë në gjendje të dehur kanë thyer disa pajisje të lokalit dhe kanë goditur me mjete të forta shtetasit Miklovan Lazri dhe pronarin e lokalit shtetasin P.B., 48 vjeç, duke iu shkaktuar dëmtime, të cilat u klasifikuan në kategorinë e plagosjes së lehtë. Shtetasit Miklovan Lazri në konflikt e sipër iu bllokua në cilësinë e provës materiale një armë zjarri automatic, të cilën e mbante pa leje.

Materialet iu kaluan Prokurorisë Durrës për veprën penale ”Mbajtje pa leje e armëve luftarake” për shtetasin Miklovan Lazri dhe për veprat penale ”Prishje e qetësisë publike”, “Plagosje e lehtë me dashje kryer në bashkëpunim” për shtetasit Denis Shtaza, Asllan Shtraza e Asllan Kërtusha.

/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/