Itali, 12 prill 2014 – Përleshje mes manifestuesve dhe forcave të rendit në kryeqytetin italian, Romë. Përleshjet më të ashpra janë regjistruar në rrugën Veneto, në afërsi të Ministrisë së Shëndetësisë.
Manifestuesit kanë hedhur objekte të ndryshme, shishe dhe bomba artizanale kundër forcave që kishin blinduar Romën për të ruajtur rendin dhe sigurinë.
Manifestimet e sotme, të programuara për t’u mbajtur në Romë, ishin kundër masave shtrënguese dhe planit Jobs Act të qeverisë së re Renzi. Manifestimeve i janë bashkuar një sërë shoqatash të cilat kërkojnë vende të reja pune dhe të drejtën për të pasur shtëpi, si dhe kundërshtojnë një sërë masash të ndërmarra nga ish kryebashkiaku i Firences.
Mësohet se një manifestues ka mbetur i plagosur, pasi një bombë artizanale që kërkonte ta hidhte drejt forcave të rendit i ka shpërthyer në dorë, duke i këputur gishtërinjtë.
Ndërkohë Ministria e Ekonomisë është sulmuar me vezë dhe portokalle nga protestuesit. Deri tani forcat e rendit kanë ndaluar 30 persona të përfshirë në trazirat e së shtunës.
/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





