Francë, 12 prill 2014 – 527 persona, mes të cilëve nxënës, mësues dhe personel i shkollës private Fenelon në qytetin francez La Rochelle, do t’i nënshtrohen analizës së ADN-së. Testi masiv do të bëhet për të zbuluar autorin e përdhunimit të një nxënëseje të kësaj shkolle, shtatorin e vitit të kaluar.
Dhuna seksuale ndaj viktimës u konsumua në banjot e institutit arsimor katolik. Lajmin e bën të ditur e përditshmja franceze Le Figaro, e cila shkruan se në rrobat e të dhunuarës janë gjetur disa materiale gjenetike të personit që kreu dhunimin.
Pas bërjes së analizës së ADN do të pritet edhe një muaj derisa të mësohet fajtori, që do të dalë nga krahasimi i materialit gjenetik të 527 personave me atë të gjetur në vendin ku u konsumua përdhunimi.
/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





