Malajzi, 12 prill 2014 – Piloti i dytë i avionit MH370, të Malaysian Airlines, duket se ka tentuar të bëjë një telefonatë pak përpara sesa avioni të zhdukej nga radarët. Telefonata është bërë mëngjesin e datës 8 mars, kur mjeti futurues u zhduk. Avioni në ato momente ndodhej rreth 320 km në veri-perëndim të Penang-ut. Kështu shkruan sot gazeta malajziane New Straits Time (NST), duke iu referuar burimeve konfidenciale. Por sipas gazetës, lidhja telefonike është shkëputur, pasi mesa duket avioni është larguar shpejt nga rrjeti i telekomunikacionit. Gjithsesi NST nuk bën të ditur se kujt po i telefononte piloti i dytë.
Ndërkohë në terren kërkimet vazhdojnë për të lokalizuar vendin e rrëzimit të avionit. Sipas kryeministrit australian Tony Abbott, sinjalet që mund të vijnë nga kutitë e zeza të avionit po zhduken me shpejtësi, prandaj ekipet e kërkimit janë në luftë me kohën. Gjithsesi që nga dita e martë e kësaj jave asnjë sinjal i ri nuk është konfirmuar në zonën ku janë përqendruar kërmimet. Kutitë e zeza të avionëve janë të programuara të lëshojnë sinjal deri në 30 ditë, dhe afati kohor ka kaluar, pasi avioni MH370 me 239 persona në bord u zhduk nga radarët në datë 8 mars.
/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





