Tiranë, 12 prill 2014 – Kryetari i Bashkisë së Tiranës dhe njëkohësisht i opozitës, Lulzim Basha ka komentuar sot deklaratat e kryeministrit Rama, se do të miratohet reforma territoriale pa opozitën. Refuzim të bashkëjetesës demokratike e ka cilësuar Basha tentativën e mazhorancës për ta miratuar e vetme reformën territoriale. Basha i ka kërkuar Ramës të reflektojë dhe ta japë konsensusin, ndërsa theksoi se opozita nuk ka ndërmend ta përdorë për të bllokuar.
“Reforma territoriale kërkon konsensus jo se them unë, por sepse kështu ka ndodhur gjithnjë. Përpjekja për t’i ikur konsensusit është e rrezikshme pasi refuzohet bashkëjetesa demokratike. Insistojmë tek konsensusi, mazhoranca të reflektoj. Nuk do ta përdorim për të bllokuar konsensusin, por për një reformë të shëndoshë”,- tha Basha.
Deklaratën politike Basha e bëri gjatë inaugurimit të Unazës në zonën e Kodër Kamzës. Duke u ndalur tek rruga e inauguruar sot, Basha tha se Bashkia e Tiranës tashmë i ka kthyer sytë edhe aty ku në 15 vite nuk ishte vënë dorë.
“Rruga që inspektojmë sot i shërben 12 mijë banorëve dhe nxënësve të shkollës ‘Isa Boletini’. Kjo nuk ka qenë arsye e fortë që bashkia e Tiranës të investonte në 15 vitet e shkuara. Ne kthyem sytë nga këta qytetar ëpër t’i dhënë atë që meritojnë, parametrat normalë të jetesës. Bashkia nuk e ka sindromën e vitit zero. Nuk ka më diskriminim mes qendrës e periferisë. Nevojat për investime janë të njëjtat, qytetarët janë të njëjtë kudo që jetojnë”, – tha ai.
/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





