Vlorë, 12 prill 2014 – Kryeministri, Edi Rama ka shpërndarë në qytetin e Vlorës titujt e pronësisë për ata që kanë ngritur shtëpi banimi pa leje. Anarkinë me ndërtimet pa leje kryeministri nuk ka ndërmend ta tolerojë më. Ai shpjegoi nga Vlora se pas përfundimit të proçesit të legalizimeve, një tullë pa leje të kushton burgun.
“Ata që kanë ndërtuar pa leje dhe e kanë bërë këtë me sakrifica të mëdha, me kursimet e gjakut në emigracion, me kursimet e bukës së gojës këtu, në vend, për të strehuar familjen e tyre, do të legalizohen falas. Dhe ata që më pas do të guxojnë të vënë një tullë pa leje, do të ndiqen penalisht. Nuk mund të vazhdojë më kjo histori që është e pashembullt për Evropën dhe që e ka bërë Shqipërinë një vend ku “gjej një shesh e bëj një përshesh”-,është shprehur kryeministri.
Kryeministri u ndal edhe tek abuzimet e bëra me këtë proces në qarkun e Vlorës, ku sipas tij janë bërë legalizime vetëm për qëllim fitimi dhe korrupsioni. Rama akuzoi zyrtarët e mëparshëm se kanë abuzuar me qëllime përfitimi duke legalizuar edhe në bregdet objekte që i kanë marrë Vlorës fytyrën.
“Janë legalizuar godina që në asnjë mënyrë nuk duhet të legalizoheshin, të ndërtuara në mënyrë abuzive në bregdet, të ndërtuara duke iu marrë qytetarëve pjesët më të bukura të Vlorës dhe duke i marrë Vlorës fytyrën dhe ajrin. Janë legalizuar shtesa pallatesh apo ndërtime të tëra që nuk janë ndërtuar për të strehuar familjen, nuk janë ndërtuar as me paratë e kursyera nga buka e gojës, por janë ndërtuar për qëllime fitimi, për shitje, për tregti dhe për përfitime”,- tha Rama.
Në qarkun e Vlorës janë bërë në vite rreth 25 mijë vetdeklarime dhe janë dhënë lejet e legalizimit për vetëm 2700 ndërtime. Gjatë takimit u ndanë edhe lejet e legalizimit për disa familje të zonave të ndryshme informale të Vlorës.
/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





