Itali, 11 prill 2014 – Karabinierët e qytetit të Bergamos në kuadrin e Operacionit “Hot Road” (Rruga e nxehtë) arrestuan dy shqiptarë për shfrytëzim dhe organizim prostitucioni. Në pranga përfundoi Emirjan Shelqetaj, 29 vjeç, me pseudonimin “Misha”, i njohur për forcat e rendit për precedentët penalë të mëparshëm si psh. plagosja e rëndë e shtetasit Paskuale Fucinelo (Pasquale Fucinello) në vitin 2005, në qytezën e Sabio Di Dalmine-s.
Njëkohësisht u arrestua edhe Fatjon Lleshi, 30 vjeç, me precedentë penalë për grabitje me dhunë e plagosje karabinieri në qershor të vitit 2013, në qytezën e Montevekias ( Montevecchia ), Rajoni i Lombardisë, në bashkëpunim me Eduart Vokrrin 32 vjeç,
Dy shqiptarët kishin ngritur një rrjet prostitucioni me vajza të reja rumune. Ata përdornin prostituta në moshë të vjetër (vetëm 30 vjeçare), për të “trajnuar” në punë e sipër, rumunet, që ishin të reja në “zanat”. Prostitutat duhet të paguanin 350 euro në javë taksë mbrojtjeje tek dy shqiptarët.
Gjatë operacionit policor u arrestuan gjithsejt 11 persona. Për tetë persona u mor masa e ndalim banimit në Bergamo. Në shtëpinë e njërit prej shoferëve (shtetas italian) të përdorur nga protektorët shqiptarë u sekuestruan 65 000 euro të prerjeve 500 dhe 100 euro.
/gje. th. agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





