10 prill 2014 – Kjo pjesë tregu këtë vit pritet të shpërndahet mes operatorëve të tjerë, që operojnë linjat me Italinë, si AlItalia, Air One, Blu Panorama, Livingston dhe Meridiana Airlines etj….
Tirana International Airport (TIA) ka publikuar të dhënat për trafikun ajror 2013. Sipas të dhënave të TIA-s, numri i pasagjerëve u rrit me 5.5% në 2013-n.
Pavarësisht falimentimit të Belle Air, zyrtarët thanë se viti i kaluar shënoi rritje pozitive të pasagjerëve që udhëtojnë në aeroport dhe kjo tendencë pritet të vazhdojë.
Belle Air, i cili shpalli falimentimin në fund të nëntorit, e mbylli vitin me një pjesë tregu prej 46.7%, nga mbi 50% që e kishte përpara se të mbyllte aktivitetin. Kjo pjesë tregu këtë vit pritet të shpërndahet mes operatorëve të tjerë, që operojnë linjat me Italinë, si AlItalia, Air One, Blu Panorama, Livingston dhe Meridiana Airlines etj.
Sipas TIA-s, Air One e mbylli vitin me një pjesë tregu prej 10.9%; Al Italia 9%; Austrian Airline 8.2% dhe Turkish Airlines 6.9%
Aktualisht ka 13 kompani ajrore që fluturojnë përmes TIA-s, duke lidhur kryeqytetin shqiptar direkt me 20 destinacione.
Sipas TIA-s, pas daljes nga tregu të Belle Air, tre operatorë të rinj u shtuan në listën e kompanive që veprojnë në aeroport, Blue Panorama, Livingston dhe Meridiana Airlines, të gjitha me destinacion Italinë.
Ndërkohë, nga 2 prili Ardia Airways ka prezantuar një lidhe të re direkt drejt Frankfurtit, katër herë në javë.
/Monitor/





