SHBA, 10 prill 2014 – Kërkonin të realizonin një foto të bukur, që ta kishin kujtim nga mbrëmja e tyre e maturës, e organizuar me rastin e ardhjes së stinës së pranverës. Fotoja u realizua gjithsesi dhe bëri xhiron e botës, por nuk ishte ajo që kishin shpresuar 22 nxënës të shkollës së mesme Pierce High School.

Ata kishin shkuar për të festuar me njëri-tjetrin në një vilë piktoreske dhe para se të merrnin pjesë në mbrëmjen e organizuar me rastin e stinës së pranverës ata menduan të bënin një foto tek një urë druri.

Ndërsa të gjithë ishin rreshtuar bukur, madje ishin veshur edhe me rrobat e mbrëmjes, ura u shemb pasi nuk mundi të përballonte gjithë atë peshë.

Fustanet e mbrëmjes u prishën dhe shumë nga nxënësit patën nevojë për një dush të mirë, por gjithsesi askush nuk u lëndua.

Fotoja e shembjes së urës përfundoi në Twitter dhe në 4 ditë është bërë share rreth 50 mijë herë.

/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/