SHBA, 10 prill 2014 – Mediet amerikane kanë bërë publike fotot dhe identitetin e nxënësit 16 vjeçar, që një ditë më parë plagosi me thikë 21 shokë të shkollës si dhe një roje sigurie që ndodhej në liceun Franklin Regional High School.

Alex Hribal sulmoi me dy thika 22 persona në orët e para të mëngjesit të së mërkurës, dhe 5 nga nxënësit e plagosur prej tij janë në gjendje të rëndë shëndetësore. Pjesa më e madhe e të plagosurve janë nxënës të moshës 14-17 vjeç.  

Policia u njoftua për ngjarjen në orën 7.13 minuta, rreth çerek ore pasi kishte nisur mësimi në shkollën e Pensilvanisë. Njëri nga dëshmitarët tha pas ngjarjes se në dysheme kishte gjak gjithandej.

Asistenti i drejtorit të liceut, Sam King, ishte personi që me ndërhyrjen e tij heroike arriti të shpëtonte të tjerë nxënës nga marrëzia e 16 vjeçarit Hribal. Ai arriti të neutralizonte agresorin, ndërkohë që një nxënës i liceut aktivizoi alarmin për të paralajmëruar shokët e shkollës për rrezikun që u kanosej.

Hribal është shoqëruar sot në gjykatë i lidhur me zinxhirë dhe me veshjen e spitalit, ku është shtruar që nga dita e djeshme. Policia tha se ai do të gjykohet si i rritur, pavarësisht se nuk ka mbushur moshën 18 vjeç. Hetuesit ende nuk dinë se çfarë e shtyu Hribal të ndërmerrte një veprim të tillë.

/agjencia e lajmeve "Dyrrah"/