Durrës, 10 prill 2014 – Në drejtorinë e Ujësjellës-Kanalizimeve të Durrësit është zhvilluar takimi i parë në kuadër të marrëveshjes së bashkëpunimit midis shoqërisë Ujësjellës Kanalizime sh.a Durrës dhe Programit Mbështetës të Sektorit të Furnizimit me ujë dhe Kanalizime WASSP, e cila është firmosur në datë 19 mars të këtij viti. Në këtë takim të parë ka nisur edhe zbatimi i marrëveshjes, e cila ka afat 1-vjeçar dhe ka si qëllim trajnimin, mbështetjen dhe instruktimin e ekipit drejtues dhe stafit të mesëm të shoqërisë Ujësjellës Kanalizime sh.a Durrës. Në këtë takim kanë marrë pjesë drejtori i përgjithshëm i shoqërisë, ing. Spartak Kovaçi, drejtorët e sektorëve ekonomik, teknik e juridik si dhe anëtarë të bordit mbikqyrës të shoqërisë.

Në fillim të takimit, drejtori i përgjithshëm Spartak Kovaçi ka falenderuar ekipin e programit ËASSP për nisjen e zbatimit të marrëveshjes duke theksuar se trajnimet e pritshme që do të zhvillohen në kuadër të saj kanë për të ndikuar më mirë në punën e stafit të Ujësjellës Kanalizime duke rritur performancën dhe treguesit e shoqërisë.

Projekti që parashikon të zbatohet nga muaji prill i këtij viti deri në muajin mars 2015, është prezantuar nga drejtori i programit WASSP David Milnes, i cili theksoi se “qëllimi i projektit është që t’ju japim mbështetjen e duhur në kuadër të rritjes profesionale të stafit tuaj, pavarësisht se ne do të punojmë brenda disa kufizimeve të caktuara”.

Fokusi i aktiviteteve që do të kryhen brenda një viti lidhet me ndërtimin e rregullave dhe procedurave bazë të mirëfunksionimit të aktivitetit të leximit të matësave, shitjes, faturimit, arkëtimit etj.

Trajnimet janë parashikuar të zhvillohen në muajt qershor-korrik, në muajin tetor të këtij viti do të publikohen rezultatet e trajnimit dhe vlerësimi përfundimtar do të kryhet në muajt janar-shkurt 2015. Programi WASSP financohet nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Austriake.

/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/