Tiranë, 8 prill 2014 – Më 9 mars tre vajza humbën jetën, mamaja e tyre, Edlira është ndaluar për krimin monstruoz ndaj bijave të veta. Babai i vajzave thyen heshtjen dhe vendos të flasë. Bashkim Dobrushi, babai i vajzave, flet për herë të parë për ngjarjen në emisionin e Pasdites në Top Channel. 

Pasdite: Bashkim, më lejoni së pari t’u përcjell ngushëllimet. Nuk janë bërë ende 40 ditë. Ju jeni në Shqipëri tani? 

Bashkimi Dobrushi: Po. Në Shqipëri. 

Pasdite: Ju kishit vendosur të qëndronit vetëm 2 javë fillimisht… 

Bashkimi: Aq. 10 ditë, dy javë. Jo më tepër dhe do kthehesha. Por nuk ishte kështu. Atë ditë që erdha në Shqipëri, po atë ditë u ktheva mbrapsht. 

Pasdite: Kur e mësove? Si e mësove? 

Bashkimi: Më thanë që ka tentuar të helmojë fëmijët dhe fëmijët janë në spital. Më tha vëllai. Vëllezërit ishin në dijeni për ngjarjen, unë jo. Dhe me mendjen që janë mirë, me shpresën se do shërohen në spital, doja të ikja me makinë sërish për atje. Nuk më lanë më thanë që do ikim me avion sepse nuk pret koha. Isha në Durrës. Premë biletën e avionit bashkë me dy vëllezërit e mi. Kur shkova atje gjeta shtëpinë plot. 

Pasdite: Ta thanë rrugës apo e mësove kur mbërrite atje?

Bashkimi: Jo nuk ma thanë rrugës. Qëndronin ftohtë. Nuk i shihja si duhet. Kur shkova në shtëpi, vëllai më tha që Edlira ka vrarë tre fëmijët, rreth orës 07:30 të darkës. Për momentin nuk e besova dhe prap nuk m’u besonte. 

Pasdite: Trupat u kthyen në Shqipëri?

Bashkimi: Po.

Pasdite: Kur?

Bashkimi: Janë kthyer të premten më datë 14 mars. Pesë ditë më vonë.

Pasdite: Ju shkruajtët një letër. Kur?

Bashkimi: Kur është bërë ceremonia atje. Dolën nga morgu ditën e mërkurë në orën 5 pasdite dhe doja të shkruaja letrën për të falenderuar të gjithë ata që më kanë qendruar pranë.

Letra e Bashkimit

“Zemra jonë është e mbushur nga një dhembje e madhe, e papërshkrueshme. Nuk e kemi kuptuar dhe nuk e kemi imagjinuar kurrë këtë që do të ndodhte. Ne kemi dashur vetëm t’ju demonstronim dashurinë që kishim për ju. Përpiqeshim të bënim të pamundurën, por sigurisht që nuk ishte e mjaftueshme. Ju kërkojmë të falur nga shpirti dhe shpresojmë që lart nga qielli ku ndodheni tani, të mund të kuptoni dobësinë tonë. Do të na mungoni pafundësisht. Do të na mungojnë buzëqeshjet tuaja, kurioziteti juaj, përqafimet tuaja, do na mungojnë të gjitha momentet që kemi kaluar së bashku. Do të na mungojë dëshira juaj për të jetuar, projektet dhe ëndrrat tuaja për një jetë të qetë dhe të lumtur. Të gjitha këto ne nuk mundëm t’jua jepnim. Nuk e di nëse do të gjej paqe, por nuk mund ta gjykoj nënën tuaj. Do të doja ta kuptoja, edhe pse tani nuk jam i aftë ta bëj një gjë të tillë, dhe do të dëshiroja ta kisha kuptuar, edhe pse nuk isha i aftë ta bëja një gjë të tillë. Ju lutem, ju përgjërohem, nga Parajsa ku ndodheni tani, edhe në zemrat tona, na jepni forcë për ta përballuar këtë dhimbje të tmerrshme”

*** 

Pasdite: Kur e kuptove që ish-gruaja jote ishte kaq e ndjeshme?

Bashkimi: Nuk di si ta shpjegoj. Nuk e besoj akoma. 

Pasdite: Cfarë mamaje ishte Edlira?

Bashkimi: Mama e rregullt. Ka qenë mama e rregullt.

Pasdite: Sa vite keni qenë të martuar bashkë?

Bashkimi: 18 vjet.
Pasdite: Gjërat mes jush nuk funksionuan më kohët e fundit. Për cfarë arsyesh nëse mund ta thoni?

Bashkimi: Nuk e di. Ekonomikisht nuk ishim keq. Nuk mungonte gjë në shtëpi. Nisën fjalët, për hir të fëmijëve mos të ziheshim në shtëpi, u ndamë.

Pasdite: E pranoi Edlira?

Bashkimi: Ajo kërkoi ndarjen. 

Pasdite: Përse? Cfarë të tha?

Bashkimi: Përderisa ne dy s’po biem dakort, nuk po shkojmë më, më mirë të ndahemi, më tha. Mirë, i thashë, ndahemi. 

Pasdite: Ti nuk jetojë më në shtëpi me atë prej sa kohësh?

Bashkimi: Nga data 9 shtator nuk jetoja më me të. Ajo ka kapur avokatët. Kemi folur me ta dhe ramë dakort që të paguaja detyrimin që kisha. Kam qenë i ndarë si trup, se me mendje dhe shpirt isha me ta. 

Pasdite: I takoje shpesh vajzat?

Bashkimi: Po përditë. I merrja në shtëpi. I coja në shkollë dhe kopësht. I merrja. Dilnim shëtitje.

Pasdite: Kishin ato ndonjë shqetësim për mamanë e tyre?

Bashkimi: Ndonjëherë më thonte e dyta që është shumë nervoze. 

Pasdite: Përgjithësisht komuniteti e njihte si një grua shumë të përkushtuar ndaj fëmijëve të saj.

Bashkimi: Po. Kjo është e vërtetë.

Pasdite: Ju thoni që nuk kishit probleme ekonomike. Vetëm ju punonit në familje? Edlira nuk punonte?

Bashkimi: Po vetëm unë. Me duket se kohët e fundit kishte nisur 2-3 orë cdo 2-3 ditë. Të paktën kështu me thonte.

Pasdite:Paga juaj mjaftonte për të mbajtur familjen?

Bashkimi: Tani janë shtrenjtuar gjërat, por për t’u kujdesur mjaftonte. 

Pasdite: Ju thoni që paratë mjaftonin, por në media thuhet se shpesh Edlira shkonte tek Caritas për të marrë ndihma. E dinit këtë fakt?

Bashkimi: Ndoshta ka shkuar. Unë e kam dhënë ndihmën tim, atë që më takonte për fëmijët e mi. Shuma ishte e përcaktuar nga gjykata dhe avokati. 

Pasdite: Si ishin vajzat tuaja?

Bashkimi: Yje! Ishin shumë të mira. Shumë të dashura, nuk ka fjalë për të folur për to. Ishin të lidhura shumë me mua. Tani…

Pasdite: I gjithë komuniteti i Lecco-s u mblodh në rrugët e qytetit për të përcjellë trupat e vajzave pa kuptuar asgjë nga ajo që ndodhi. Në fakt kanë kaluar 40 ditë dhe ne ende nuk e kemi kuptuar se përse ndodhi. Keni ju ndonjë shpjegim?

Bashkimi: Se përse ndodhi nuk e di si ta shpjegoj. Pse-në duhet ta thotë ajo, jo unë.

Pasdite: Do ta takonit Edlirën për të dëgjuar nga goja e saj, cfarë ndodhi, përse ndodhi?

Bashkimi: Jo. Nuk kam kurajo ta dëgjoj pse-në. Nuk më bën zemra.

Pasdite: Kur udhëtuar për në Shqipëri ishit vetëm apo i shoqëruar?

Bashkimi: Isha vetëm dhe më ka telefonuar 3-4 herë duke ardhur, si po të shkon rruga dhe më njofto për cdo ndalesë që kishte. Kur ndaloja e telefonoja unë. 

Pasdite: Cfarë të thoshte ajo?

Bashkimi: Si po të shkon rruga, vetëm kaq.

Pasdite: Përse mendon se po ta bënte këtë pyetje?

Bashkimi: Nuk e di. Ajo thoshte që jemi prindër dhe të jemi sa më afër fëmijëve, që unë të mos rrija shumë dhe të kthehesha në Itali.

Pasdite: E dinin familjarët tuaj që ju ishit ndarë?

Bashkimi: Po. U telefonova para vitit të ri.

Pasdite: Pra nuk është e vërtetë që erdhët këtu për t’u shpjeguar familjarët përse po ndaheshit nga Edlira?

Bashkimi: Jo kjo s’është e vërtetë.

Pasdite: A është e vërtetë që erdhët në Shqipëri për t’u fejuar?

Bashkimi: Jo! As kjo s’është e vërtetë. E vërteta është që erdha për të parë nënën time, jo për t’u fejuar.

Pasdite: Nëse do të kthehesha pas në kohë, cili është momenti kur do të ktheheshe? Nëse ka një ditë, një orë cila është ajo?

Bashkimi: Ca të them…Nuk ka shpjegim këtë ngjarje. S’e prisja që do të ndodhte kjo që ndodhi. S’di si ta shpjegoj.

Pasdite: Cfarë do të kishe bërë ndryshe? Do t’i merrje edhe vajzat në Shqipëri?

Bashkimi: Vajzat ishin në shkollë. Por edhe për Shqipëri do t’i merrja por janë të caktuara gjërat, për festat, ditët kur mund t’i merrja i kishte ndarë gjykata.

Pasdite: Edlira nuk të pengonte t’i shihje, apo jo?

Bashkimi: Jo.

Pasdite: Si e njohët Edlirën? Kur e keni njohur?

Bashkimi: Në Shqipëri, kam qenë tek forcat e ndërhyrjes së shpejtë, 1993-1996. 

Pasdite: U martuat dhe shkuat në Itali menjëherë?

Bashkimi: Jo jo. As dasmë s’kemi bërë, kemi bërë vetëm kurorëzimin.

Pasdite: Në Itali kur shkuat?

Bashkimi: Kam shkuar unë pa dokumente, pastaj kam bërë dokumentet edhe për atë. Vajza e madhe ka lindur në Shqipëri në vitin 2000, më 3 prill. Më 2001 kam bërë bashkim familjar dhe i kam marrë në Itali. Dy vajzat e tjera kanë lindur atje. 

Pasdite: Me kë ishit më i lidhur nga 3 vajzat? Ose kush ishte më e lidhur me ju?

Bashkimi: Me të trija. Nuk mund ta ndaj.

Pasdite: Flasim pak për to. Si ishin?

Bashkimi: Shumë të ëmbla dhe bukurinë ua kishte dhënë Zoti. Shumë të dashura në shpirt dhe në zemër. 

Pasdite: Cfarë ëndrrash kishin?

Bashkimi: E madhja për të studiuar. Ishin mirë me mësimet. Jashtëzakonisht mirë. Unë isha i kënaqur. 

Pasdite: Ndoshta Edlira kishte një depresion, një depresion të thellë sic thotë mamaja e saj. Ju e kishit kuptuar nga shenjat e saj, nervozizmi, ankthi, pavarësisht përkushtimit që kishte në familje, që ish-gruaja juaj kishte depresion?

Bashkimi: Nuk e kisha kuptuar. As dija gjë. Ajo fliste normalisht dhe më thoshte gjithmonë që jam mirë.    

Pasdite: Që nga momenti kur e keni njohur deri në herën e fundit që e keni takuar, cfarë ka ndryshuar tek ajo?

Bashkimi: Asgjë. Pas ndarjes ne s’jemi zënë asnjëherë.

Pasdite: Fakti që të merrte në telefon shpesh tregon që ishte një grua që kishte ankth. 

Bashkimi: Nuk e di se cfarë ka thënë ajo. Ajo duhet të përgjigjet për atë që ka bërë. Nga ana ekonomike unë i kam thënë që do jem pranë tyre, si asaj, si fëmijëve.

Pasdite: Kishte frikë ajo që ju do të fillonit një jetë të re?

Bashkimi: Jo. S’e kemi biseduar asnjëherë këtë.

Pasdite: Ideja e parë që na erdhi ndërmend kur dëgjuam për këtë rast është sa shumë depresion mbetet i pashëruar. Cfarë mendoni se do të ndodhë me ish-gruan tuaj?

Bashkimi: Nuk e di. Atë e di drejtësia, ndërsa nga ana e shëndetit të saj, janë mjekët që duhet të përgjigjen. 

Pasdite: Si ndjeheni ju tani?

Bashkimi: Cfarë të them… Mirë nga zori.

Pasdite: Flisni me familjarët tuaj për vajzat tuaja? I përmendni?
Bashkimi: Sigurisht. 

Pasdite: Pas kësaj që ndodhi?

Bashkimi: Po, po.

Pasdite: Vëllai juaj ka fëmijë?

Bashkimi: Po ka një djalë, 3 javë më i madh se vajza ime e vogël, 4 vjec i mbush në shtator.

Pasdite: Si ndjehet mamaja juaj?

Bashkimi: Sëmurë. Depresion. Nuk është mirë dhe kjo ishte një tragjedi që nuk ka fjalë për t’u përshkruar.

Pasdite: Cfarë do bëni ju tani Bashkim?

Bashkimi: Shpresoj te Zoti për kurajo dhe forcë dhe të shikoj jetën përpara. 

Pasdite: Do të kthehesh të punosh?

Bashkimi: Po. 

Pasdite: I ke takuar kolegët e punës?

Bashkimi: Po, të gjithë më kanë ardhur për ngushëllime. 

Pasdite: Ju jeni ende në fazën kur nuk dini ende t’i jepni një shpjegim asaj që ka ndodhur? 

Bashkimi: Jo.

Pasdite: Mendoni që Edlira ka qenë e vetme? Ka mundur ta bëjë e vetme?

Bashkimi: Them që ka qenë e vetme, por s’jam i sigurtë. Shtëpia ka qenë shumë e sigurtë.

Pasdite: Shihni në moshën 45-vjeçare t’u shembet bota para syve. Si e shihni të ardhmen tuaj?

Bashkimi: Me kurajo për mirë duhet të mendohet jo vetëm për keq. Gjithmonë ata fëmijë para syve dhe në zemër do ngelen. Cdo lëvizje që bëj.

Pasdite: Mban mend fjalët e fundit që të ka thënë ndonjëra nga vajzat?

Bashkimi: E madhja më tha, kujdes rrugës…kujdes rrugës. Ka qenë…ca të them. E vogla më thërriste në emrin e vet mua, ndërsa unë i thërrisja në emrin tim asaj. E dyta ka qenë më e shkathët nuk më lëshonte nga përqafimi.

Pasdite: Ju kërkoni drejtësi tani?

Bashkimi: Po drejtësi dua. Nuk shikoj asgjë tjetër, vetëm drejtësi. 

Pasdite: Cfarë shpresoni ju që do të nxjerrë drejtësia? Zbulimin e arsyeve apo dënimin e ish-gruar tuaj?

Bashkimi: Atë e di drejtësia. Të gjitha drejtësia i di. Atje kam shpresë, tek drejtësia italiane.