Nga kujtimet e ish-togerit perandorak rus, major i monarkisë shqiptare dhe gjeneral-brigade i ushtrisë italiane Lev Pavloviç Sukaçiov mbi pushtimin e Durrësit më 7 prill 1939 dhe një kabllogram i ambasadorit amerikan në Tiranë më 6 prill 1939

Nga Thanas Mustaqi

DURRËS, 7 prill 2014 – Të kthesh veturën luksoze, dhuratë të Hitlerit për dasmën e Ahmet Zogut I (8 tetor 1895-9 prill 1961), në autoambulancë, ku 12 orë pas lindjes së foshnjës, Leka Zogut (5 prill 1939-30 nëntor 2011), u shtri mbretëresha e shqiptarëve Geraldinë (6 gusht 1916-22 tetor 2002), duke i mbuluar pjesërisht trupin me allçi për ta mbrojtur nga lëkundjet e pashmangshme në rrugët primitive malore, drejt arratisë, fakti i bujshëm bëhet publik për herë të parë nga “Dyrrah”-u.

“Agjentë sekretë fashistë kanë marrë kredi për korruptimin e gjinekologëve të besuar të mbretëreshës Geraldinë, dhe të mësonin datën e parashikuar të lindjes dhe gjininë e foshnjës”, kjo hollësi jepet në kujtimet e një ish-oficeri rus, Lev Pavloviç Sukaçiov (1895-1975), “ushtaraku nën tre flamuj”, siç e konsideron veten dhe që pretendon se në kohën e Zogut arriti të bëhej komandant i regjimentit të gardës mbretërore me gradën e majorit.

“Dyrrah”-u po boton për herë të parë në shqip një fragment nga kujtimet me titull “Shqipëria dhe Mbreti Zog”, botuar në revistën e emigracionit të bardhë rus në SHBA “Vestnik Pervopokhodnika” në vitin 1964; origjinali i dorëshkrimit ruhet në arkivat e universitetit amerikan të Kolumbias, ku i dorëzoi autori.

Për të plotësuar më mirë kuadrin e kohës, po botojmë një kabllogram të ambasadorit amerikan në Tiranë, Hju Gledni Grent (Hugh Gladney Grant, 1888-1972), që bën fjalë për momentin kur Mbreti përlotej më 6 prill 1939.

Po ashtu Sukaçiovi tregon disa kureshti, gjithmonë nëse janë të vërteta, për momentet e largimit të familjes dhe shpurës mbretërore më 6 prill 1939.

Kështu, sipas tij, “dhuratën e Fyrerit [veturë luksoze Mercedes-Benz që Hitlerit dërgoi në dasmën e Zogut] e shfrytëzova në interes të mbretëreshës Geraldinë. E përshtata herët në mëngjes në autoambulancë. Në orën 5 të mbrëmjes së 6 prillit, domethënë 12 orë pas lindjes së foshnjës, e shtriva këtu [mbretëreshën], duke i mbuluar pjesërisht trupin me allçi për të mbrojtur nga lëkundjet, të pashmangshme në rrugët primitive malore. Rreth njëqind makina të tjera, vetura dhe kamionë, kisha përgatitur gjithashtu më parë. Në to u matarua gjithë familja mbretërore, shpura, një pjesë të nëpunësve të lartë me familjet, shërbëtorët… Bagazhi kolosal, sendet me vlerë, me një fjalë, gjithçka e mirë, që mund të vendosej në kamionë, tashmë qysh në mëngjes pa gdhirë ishte ngarkuar para pallatit mbretëror”.

Kujtimet janë shkruar 3 vjet pas vdekjes së Ahmet Zogut, prandaj tingëllon i çuditshëm pohimi i ish-majorit të gardës mbretërore: “I dhashë lamtumirën mbretit. Ai më falënderoi me mallëngjim për besnikërinë në shërbimin shumëvjeçar. “Nëse italianët do të të propozojnë t’u shërbesh, – shtoi ai – mos refuzo. Unë do të jem veçse i lumtur në qoftë se në poste të rëndësishme në Itali do të jenë njerëz të përkushtuar ndaj interesave të Shqipërisë… kurse rrjedhën e historisë ne nuk e ndryshojmë dot, por fjala e fundit ende nuk është thënë ende…””.

Gjithashtu Sukaçiovi pretendon se ka organizuar rezistencën e 7 prillit në Durrës, madje, mbrojtja e porit iu besua një oficeri rus.

Ndërkaq, bie në sy “përdhosja” e luftës në Durrës, duke e konsideruar thjesht mënyrë për të vonuar trupat italianë, e kështu familja mbretërore të kishte kohë për t’u arratisur.

Kujtimet kanë shumë pasaktësi.

Mbetet që historianët profesionistë të verifikojnë faktet.

Ja teksti:

KËRCËNIMET

Jo vetëm për shkak të detyrës, por edhe “privatisht”, d.m.th. në pritjet në Pallat dhe në ambasadat e huaja më duhej të takohesha shpesh si me diplomatë italianë, ashtu dhe me përfaqësues të shteteve të tjera. Zogu e drejtonte vet politikën e jashtme dhe me këtë rast shfrytëzonte me shumë shkathtësi interesimin e fuqive të mëdha ndaj Shqipërisë, çelës për të hyrë në Ballkan. Në vitet 1930 rreziku kryesor, që kërcënonte mbretin Ahmet, vinte nga Musolini. Diktatori italian bënte çmos të forconte pozitën e vet në Shqipëri: së pari, miqësisht, me qëllim që të depërtonte në rrugë paqësore, i jepte para mbretit; ai i merrte me qejf, por i harxhonte vetëm në interes të vendit të tij. Italianët gjithashtu organizonin kryengritje malësorësh, por batalioni ynë special i Gardës bashkë me dy kompani – tankiste dhe autoblindash – likuidonin menjëherë të gjitha përpjekjet për organizimin e grushtit të shtetit.

Duke parë se mbretit të Shqipërisë nuk i hynte gjemb në këmbë pa ndërhyrje të hapur ushtarake nga jashtë, Musolini në vitin 1935 [në të vërtetë, më 22 qershor 1934]  dërgoi drejt bregdetit të Durrësit [në orgjinal: Durazzo] flotën italiane [22 luftanije], e cila ndaloi pesë milje larg portit. Nga minuta në minutë pritej zbarkimi, por… e njoftuar për incidentin Anglia dërgoi nga Malta skuadronin e saj që qëndronte atje. Flota britanike hyri në portin e Durrësit. Për dy ditë marinarët britanikë bënë qejf në qytet… derisa u larguan anijet italiane. Vetëm atëherë ata morën urdhër të braktisnin ujërat territoriale shqiptare [nuk ka konfirmim nga historianët për këtë fakt].

Por me kalimin e kohës, edhe harta politike e botës ndryshoi. Ndikimi i Boshtit [Gjermania, Italia, Japonia] u forcua. Zogu vazhdoi të ruajë me guxim vijën e vet të pavarur kombëtare. Ditën e dasmës së tij në prill të vitit 1938 ai mori dhurata të çmuara nga të gjitha anët e botës. Hitleri i dërgoi një makinë luksoze të madhe të markës Mercedes-Benz, Musolini – premtimin për të shtruar rrugën Durrës-Tiranë; dhe, vërtet, në afat të shkurtër, kjo rrugë [në origjinal: autostradë] madhështore ishte gati.

PLANI I EDA ÇIANOS

Mbretëresha Geraldinë ishte shtatzënë. Pritej lindja e trashëgimtarit të fronit (Allahu kishte porositur djalë!), i cili, në vend të nipit të Ahmet Zogut I, duhej të hipte në fron pas vdekjes së të atit.

Popullariteti i Zogu në vend vazhdonte të rritej. Prandaj Italisë i duhej të kërkonte rrugë të reja të nënshtronte Shqipërinë. Natyrisht, do të ishte më e thjeshtë po të përdorte menjëherë forcën e armatosur, por Musolini ëndërronte të detyronte Ahmetin të nënshtrohej dhe të mbeste fiktivisht kryetar shteti, duke zbatuar para së gjithash urdhrat e Romës. Me fjalë të tjera, qëllimi i qeverisë fashiste nuk ishte pushtimi i Shqipërisë dhe dëbimi i sunduesit të saj, siç u bë në Abisini. Jo, Zogu që nuk i bindej vullnetit të Duçes, ishte kaq i dashur nga populli i tij, duhej të lihej në postin e tij, por të kthehej në mbret “kukull”, kurse litarin, në të cilin ai do të hidhte valle, ishte parathënë të tërhiqte diktatorin e madh të Italisë…

Plani për të realizuar këtë detyrë të vështirë, të paktën sipas thashethemeve që qarkullonin në Shqipëri, ishte pjekur në mendjen dinake të së bijës së Duçes – Eda Çiano, gruaja e ministrit të Punëve të Jashtme. Agjentë sekretë fashistë kanë marrë kredi për korruptimin e gjinekologëve të besuar të mbretëreshës Geraldinë, dhe të mësonin datën e parashikuar të lindjes dhe gjininë e foshnjës. Për çfarë janë shpenzuar kreditë – do të mbetet përgjithmonë mister i zbulimit italian, pasi e gjithë Shqipëria e dinte saktësisht se në ç’muaj mund të pritej lindja e trashëgimtarit të fronit. Plani i hollë psikologjik-diplomatik, i frymëzuar nga kontesha Çiano, realizimi strategjik i të cilit iu besua Shtabit të Përgjithshëm italian, ishte ky: forcat e armatosura italiane – aviacioni, flota, trupat zbarkues – duhej të sulmonin befasisht Shqipërinë e vogël dhe të realizonin “blic”-in, duke pushtuar vendin ditën kur do të lindte mbretëresha. Gjithë llogaritja bazohej në dashurinë e Zogut për bashkëshorten: MBRETI i Shqipërisë nuk do të vendoste kurrë ta braktiste në Tiranë dhe t’ia mbathte pa mbretëreshën dhe princin e porsalindur! Dhe si të zvarritej me ta, disa orë pas lindjes, nëpër rrugët malore të kalueshme me vështirësi dhe gjithë gropa?

TË GJITHË E DININ

Gjithçka ishte parashikuar… me përjashtim të llafazanërisë femërore të së bijës së diktatorit italian. Vërtet, si të mos u mburrej mikeshave, si të mos ishte e mençur, që ajo, vajza e Musolinit, të mos sajonte një plan të tillë gjenial? Me sa duket, trashëgonte gjenialitetin e të atit, dhe nuk i ngjante të ëmës, Dona Rakele (Donna Rachele)!…

Si rezultat, nuk kishte njeri në Shqipëri që nuk do ta dinte se zbarkimi italian në Tiranë duhej të ndodhte ditën kur do lindte Geraldina. Në këtë mënyrë, Zogu kishte kohë të mjaftueshme të merrte “kundërmasa”, zbatimi i të cilave m’u ngarkua mua. Duhej të përgatisja arratisjen e të gjithë familjes mbretërore në çastin e zbarkimit të pritshëm italian në Durrës. Në të njëjtën kohë, ushtria shqiptare duhej të frenonte të paktën disa orë përparimin e forcave fashiste nga Durrësi drejt kryeqytetit të Shqipërisë, për t’i dhënë kështu mundësi familjes mbretërore dhe shpurës së saj të largoheshin nga Tirana për në jug.

REZISTENCË PËR TË VONUAR MARSHIMIN

Gjithçka ndodhi sipas parashikimit. Në orën 5 të mëngjesit më 5 [në origjinal: 6] prill 1939 të shtënat me top përshëndesnin dhe kumtonin lindjen e trashëgimtarit të fronit, të quajtur Skander [në origjinal: Iskander]. Shkova me nxitim në zyrën e tij në pallat për urdhrat e fundit. Italianët u evakuuan me ngut nga Tirana (i trembeshin një “masakre ballkanike”…). Mbi qytet tashmë në mesditë fluturonin skuadrilje italiane, ndërprenë të gjitha komunikimet telefonike jashtë qytetit dhe hodhën proklamata për popullsinë. Njëkohësisht radioja franceze njoftoi se flota italiane hyri në Durrës dhe një ushtri prej 40 mijë vetash zbarkoi në breg. Dija se trupat tanë të dobët e të vogël në numër (rreth pesëqind veta) që kishin marrë më parë udhëzime do të ngadalësonin marshimin italian në drejtim të Tiranës… dhe nuk u gabova. Vetëm në mbrëmje, më 7 [në origjinal: 6] prill, tanket dhe automjetet italiane mundën të merrnin kursin në kryeqytet… Të nesërmen në mëngjes gjithë shtypi italian njoftonte popullin se “ushtria fashiste u mbulua me lavdi”. Duhet shtuar edhe fakt se, siç kam mësuar më vonë, para largimit, domethënë në prag të zbarkimit, italianët u hoqën të gjitha gjilpërat 20 topave tanë të vetëm të rëndë bregdetarë. Në këtë mënyrë, komandanti i mbrojtjes së portit të Durrësit kapiten Krasenski [oficer rus] as që mundi të përdorte këtë artileri të rëndë…

Kështu forcat e armatosura italiane po kalonin me ngadhënjim nëpër rrugën Durrës-Tiranë – dhurata për dasmën që Musolini i bëri mbretit Zog… Ruhuni nga grekët kur ju bëjnë dhurata!…

PËRSHTATJA E MERCEDES-BENZIT

Por dhuratën e Fyrerit [Mercedes-Benz] e shfrytëzova në interes të mbretëreshës Geraldinë. E përshtata herët në mëngjes në autoambulancë. Në orën 5 të mbrëmjes së 6 prillit, domethënë 12 orë pas lindjes së foshnjës, e shtriva këtu [mbretëreshën], duke i mbuluar pjesërisht trupin me allçi për ta mbrojtur nga lëkundjet e  pashmangshme në rrugët primitive malore. Rreth njëqind makina të tjera, vetura dhe kamionë, kisha përgatitur gjithashtu më parë. Në to u matarua gjithë familja mbretërore, shpura, një pjesë të nëpunësve të lartë me familjet, shërbëtorët… Bagazhi kolosal, sendet me vlerë, me një fjalë, gjithçka e mirë, që mund të vendosej në kamionë, tashmë qysh në mëngjes pa gdhirë ishte ngarkuar para pallatit mbretëror…

PROPOZIMI

I dhashë lamtumirën mbretit. Ai më falënderoi me mallëngjim për besnikërinë në shërbimin shumëvjeçar. “Nëse italianët do të të propozojnë t’u shërbesh, – shtoi ai – mos refuzo. Unë do të jem veçse i lumtur në qoftë se në poste të rëndësishme në Itali do të jenë njerëz të përkushtuar ndaj interesave të Shqipërisë… kurse rrjedhën e historisë ne nuk e ndryshojmë dot, por fjala e fundit ende nuk është thënë ende…”.

Pashë për një kohë të gjatë autokolonën mbretërore, që po largohej nëpër pluhurin e rrugës. Pastaj u ktheva në zyrë. Isha mjaft skeptik ndaj fjalëve të Zogut se italianët mund të më propozonin të kaloja në shërbimin e tyre. Fakti se unë isha fajtor për arratisjen në kohë të mbretit dhe organizatori i njëfarë rezistence gjatë zbarkimit në Durrës, nuk mund të mos ta dinte Shtabi italian…

Fillova të asgjësoj dokumentet që nuk duhej të binin në duart e italianëve. Përreth kishte qetësi, dëgjohej vetëm ndonjë e shtënë që vinte nga burgu. Mesnatë, ora një… Më në fund, dëgjoj në radio lajmin e shumëpritur se gjithë karvani mbretëror kaloi kufirin grek shëndoshë e mirë. Mora frymë i lehtësuar.  

U ktheva në shtëpinë time në rrugën e Postës, hoqa uniformën e majorit shqiptar. “Ndoshta, nuk do të më duhet ta vesh kurrë më”, – më shkrepi në kokë. U shtriva të fle në pritje të ngjarjeve të mëtejshme.

Shënim: Përkthimi nga origjinali rusisht, titulli dhe mes-titujt e fragmentit dhe sqarimet në kllapat katrore janë të “Dyrrah”-ut. Marrë nga kujtimet me titull “Shqipëria dhe Mbreti Zog” (origjinali rusisht: “Albaniya i Korol’ Zogu”), botuar në revistën e emigracionit të bardhë rus në SHBA “Vestnik Pervopokhodnika” 1964. Tripikëshat janë të origjinalit.

Dokument / 6 prill 1939, kur Mbretit i rrëshqisnin lotët

Telegram i ambasadorit amerikan në Shqipëri drejtuar Sekretarit të Shtetit
Tiranë,  më 6 prill1939, ora 19,00
[Marrë më 13 prill 1939, ora 09:15]

Në një audiencë me Mbretin Zog sot në mesditë Mbreti bëri në thelb këtë deklaratë:    

 “Disa ditë më parë ministri italian në Shqipëri, më paraqiti disa kërkesa, të cilat, sipas gjykimit tim, çojnë drejt një protektorati mbi Shqipërinë. Në mënyrë të prerë nuk pranova të marr në shqyrtim propozime, të cilat drejtpërdrejt apo tërthorazi do të cenonin tërësinë dhe pavarësinë e vendit tim. Gjeneral Serreqi, ministri i ri shqiptar në Itali, më pas pati një bisedë me Musolinin dhe Çianon, në të cilën ai paraqiti pikëpamjet e mia. Dje pasdite [më 5 prill] ministri italian bisedoi me mua për dy orë dhe më paraqiti sërish disa kërkesa të cilat të marra së bashku çojnë drejt një protektorati mbi Shqipërinë. Ministri italian tha se dëshironte një përgjigje për Qeverinë e tij deri në orën 12:00 të ditës së sotme. Nuk pranova të marr në konsideratë kërkesat, të cilat do të rezultonin, sipas mendimit tim, në protektorat. Ministri italian tha se kërkesat nuk do të përbënin protektorat”.

KËRKESAT ITALIANE

Kërkesat e paraqitura nga Ministri italian, që më numëroi Mbreti parashikojnë (1) kontrollin e të gjitha porteve, komunikacioneve, rrugëve dhe aerodromeve në rast se rrezikohet pavarësia e Shqipërisë, (2) vendosjen e një organizatori italian në çdo ministri shqiptare, i cili duhet të ketë rang zëvendësministri shqiptar, (3) shtetasit italianë në Shqipëri të ketë të drejta të barabarta civile e politike me shqiptarët, (4) ngritjen e legatës italiane në Tiranë dhe asaj shqiptare në Romë në rangun e ambasadave.

REAGIMI

Lidhur me kërkesën e parë mbreti tha se kishte informuar ministrin italian se kjo do të plotësohej vetëm pas një marrëveshjeje paraprake dhe në rast se ai, mbreti, do të kërkonte dhe do të ishte dakord për zbarkimin e trupave italianë në Shqipëri. Mbreti tha se nuk e kishte pranuar kërkesën e dytë duke thënë se ai vetëm do të jetë dakord që të vendosen organizatorë italianë në qoftë se shqiptarët i konsiderojnë të nevojshëm sikurse janë në disa ministri aktualisht. Për pikën e tretë Mbreti tha se do të ishte dakord për t’u dhënë italianëve vetëm të drejtat civile, ndërkohë që akordimi i kërkesave të tjera [të drejtat politike – “Investigim”] do të nënkuptonte se italianët do të zgjidheshin në Kuvendin e Shqipërisë dhe mund të merrnin tokë në pronësi në Shqipëri. Mbreti tha se ishte dakord për kërkesën e katërt.

PEZULL

Mbreti theksoi më tej se ministri italian kishte telefonuar ta takonte përsëri këtë mëngjes dhe t’i paraqiste për t’u nënshkruar [nga Mbreti] një dokument që përmban kërkesat italiane. Mbreti tregoi më tej se duke pasur parasysh këmbënguljen e disa prej ministrave të tij që ai të rishqyrtojë vendimin e tij, i ka kërkuar ministrit italian të mbajë këtë çështje pezull deri sonte, në orën 18:00, për t’i dhënë mundësi qeverisë shqiptare dhe një delegacioni, që e përfaqëson, të shqyrtojë çështjen. Ai tha se për t’i dhënë përgjigjen e Qeverisë ministrit italian ishin ngarkuar kryeministri dhe ministri i Jashtëm. Mbreti vuri në dukje se nisur nga kërkesat e ministrave të tij ai e kishte lënë në dorë të qeverisë dhe delegacionit të parlamentit  të bënin zgjedhjen e tyre.

MASAT PËR LUFTË

Duke iu përgjigjur pyetjes sime të hapur se nëse Qeveria do t’i rezistonte me forcë zbarkimit të trupave italianë në rast se qeveria vendos të hedhë poshtë kërkesat, Mbreti u përgjigj se kishte urdhëruar mobilizimin e përgjithshëm dhe evakuimin e popullatës civile të Durrësit. Lartmadhëria e Tij tha se ai nuk kishte shumë ushtarë dhe se ai mundi të dërgojë vetëm dy batalione në portin e Vlorës. Njësi të tjera ai tha se kanë qenë të vendosur në sektorë strategjikë. Ai tha se pjesa e mbetur e [mungojnë fjalë] ishin civilë të cilëve u janë shpërndarë armë. Mbreti tregoi se nuk do të jetë e mundur që ushtria e tij t’i bëjë ballë për një kohë shumë të gjatë ushtrisë së fuqishme italiane të pajisur mirë. Ai tha se rezistenca shqiptare do të ishte protestë kundër agresionit italian dhe për t’i treguar të botës se shqiptarët nuk do të vdisnin pa bërë luftë. E pyeta mbretin nëse kishte marrë ndonjë inkurajim për mbështetje nga anëtarët e Antantës Ballkanike si dhe nga Anglia dhe Franca. Ai u përgjigj se Ministri i tij në Beograd e kishte informuar se Qeveria jugosllave mendonte se Italia vetëm sa po blofonte dhe se nuk kishte ndërmend të pushtonte Shqipërinë.

DEMOKRACITË DHE TOTALITARIZMI

Pyeta Mbretin nëse kishte ndonjë mesazh që ai dëshironte t’i transmetonte qeverisë time. Mbreti u përgjigj se ai do të ishte i kënaqur nëse do t’i përcillja Presidentit Ruzvelt përshëndetjet e tij të përzemërta dhe miqësore dhe deklaroi se, sipas tij, demokracitë e mëdha duhet ose të vendosin për t’u përgatitur që t’i kundërvihen me sukses agresionit të shteteve totalitare ose të bëjnë sehir sesi vendet e vogla dhe të dobëta të gëlltiten një nga një.

Në përgjithësi Mbreti ishte i qetë, por gjatë bisedës që zgjati për gati një orë shfaqi emocion të fortë veçanërisht kur deklaroi se agresioni italian nuk do të pritet në Shqipëri, ashtu sikurse ndodhi në Çekosllovaki. Ai tha se nuk do të ishte dakord që në asnjë rrethanë të nënshkruante dorëzimin e vendit të tij sikurse veproi Presidenti i Republikës Çekosllovake.

ZHGËNJIMI

Në zërin e tij ndihej se ishte i prekur dhe i hidhëruar për faktin se italianët e filluan mësymjen e tyre pikërisht në momentin kur Mbretëresha po lindte fëmijë. Në këtë moment të veçantë ai hodhi sytë në dritare dhe munda të shoh qartë si rridhnin lot në sytë e tij. Ai mezi po e kontrollonte veten në këtë moment. Jepte përshtypjen e një njeriu që ndiente zhgënjim të hidhur dhe se e kishin mashtruar dhe tradhtuar keqas.

DEMONSTRATA

Në orën 4:30 të pasdites së sotme 50 aeroplanë italianë të grupuara në 10 skuadrilje fluturuan në një lartësi të madhe mbi Tiranë, duke u afruar nga jugperëndimi dhe duke u zhdukur në drejtim të bregut perëndimor të Adriatikut. Ndërsa aeroplanët po fluturonin lart një turmë prej disa mijëra shqiptarë organizuan një demonstratë të madhe në sheshin kryesor të Tiranës. Qindra të rinj shqiptarë po bërtisnin  dhe kërkonin armë për të mbrojtur vendin. Një delegacion nga turma u përpoq të takonte Mbretin sot pasdite vonë dhe në orën 20,00 rreth 2.000 të rinj dhe nxënës shqiptarë duke mbajtur në duar flamuj shqiptarë dhe duke bërtitur “Rroftë Shqipëria, rroftë liria jonë, rroftë Amerika dhe rroftë Presidenti Ruzvelt” hynë në kompleksin e legatës dhe parakaluan rrotull kopshtit.

REFUZIMI

Mbledhja e posaçme e Kabinetit të Ministrave dhe parlamentit në të ngrysur sonte në mbrëmje votoi për të hedhur poshtë kërkesat italiane dhe për t’i rezistuar me forcë zbarkimit të trupave italianë, por kjo mbledhje tregoi gatishmërinë  për të diskutuar me qeverinë italiane Traktatin Italo-Shqiptar të Aleancës me qëllim qartësimin e çështjeve të cilat tani janë në diskutim dhe që kanë të bëjnë me detyrime ushtarake. Lidhur me këtë iu tha zyrtarisht ministrit italian t’i transmetojë qeverisë së tij sugjerimin që gjeneral Pariani, Sekretari italian i Luftës, i cili disa vite më parë ka qenë shef i departamentit ushtarak të gjykatës Mbretërore, duhet të vijë në Shqipëri për të diskutuar çështjet në fjalë. Ministri italian, me sa jam i informuar nga burime të besueshme, nuk ka e ka inkurajuar shumë sugjerimin, por besohet se ai do ta transmetojë kërkesën. Me sa duket se qeveria shqiptare jo vetëm po kërkon seriozisht zgjidhje të vështirësive me të cilat është ballafaquar, por po kërkon kohë me qëllim sigurimin e ndihmës nga jashtë dhe gjithashtu për të pasur mundësi për largimin pa rrezik të Mbretëreshës që lindi një fëmijë dje në mëngjes.

Grent

Shënim:

Përkthimi nga anglishtja, titulli dhe mes-titujt në këtë dokument janë të autorit të speciales.

Info

Lev Pavloviç Sukaçiov (1895-1975)

“Ushtarak nën tre flamuj”, kështu quhen kujtimet vetjake të Lev Pavloviç Sukaçiovit (1895-1975). Në Luftën I Botërore ka shërbyer në kalorësinë perandorake ruse dhe pastaj kaloi në aviacion. Kur në Rusi filloi Lufta Civile, kaloi në anën e monarkistëve, ose “gardistëve të bardhë (rusisht: “bjellogardistë”). Pas disfatës me bolshevikët, në vitin 1921, shkoi në emigracion, në Beograd, ku dhe pranoi ftesën për pjesëmarrje në një fushatë në Shqipëri. Sipas Sukaçiovit, në kohën e Zogut arriti të bëhet komandant i regjimentit të gardës mbretërore me gradën e majorit. Kurse pas pushtimit të Shqipërisë nga italianët, kaloi në shërbim të këtyre të fundit si komandant i gardës shqiptare pranë mbretit italian, kjo me pëlqimin e mbretit Ahmet Zogu, para se ky të largohej, kujton Sukaçiovi. Luftoi në Stalingrad në përbërje të armatës së 8-të italiane me gradën e nënkolonelit dhe, pas shpartallimit të saj, u kthye në Shqipëri. Kur Italia kapitulloi, kaloi në anën e aleatëve dhe qëndroi në shërbim në ushtrinë italiane dhe në vitin 1947 arriti të marrë gradën e gjenerallejtënantit. Gjatë kësaj kohe, deri në fund të jetës së Zogut, Sukaçiovi bashkëpunoi me mbretin shqiptar në mërgim. Pastaj ai shkoi në SHBA, ku dhe vdiq. 10 vjet më parë, po në SHBA, kishte mbyllur sytë dhe Fan Noli.

Leka II: Pa ndihmën e rusëve Zogu nuk vinte në pushtet

Në ardhjen e familjes suaj në pushtet në Shqipëri rol përcaktues kanë luajtur dhe emigrantët rusë. Në vitin 1924, një detashment oficerësh rusë ndihmoi në kryerjen e një grushti shteti nga gjyshi juaj Ahmet Zogu, i cili u bë sundimtar i vetëm i vendit, dhe katër vjet më vonë e shpalli veten mbret. Çfarë dini për këtë?

Leka II: Para së gjithash, gjyshi im nuk e shpalli veten monark në mënyrë të njëanshme. Mbret të shqiptarëve e deklaroi Kuvendi Kombëtar, kurse Shqipëria mori atëherë statusin e një monarkie demokratike, parlamentare dhe të trashëgueshme. Dhe para kësaj, në vitin 1924, në Shqipëri ndodhi një revolucion, si rezultat i të cilit erdhi në pushtet, Fan Noli, që e simpatizonin komunistët.

Gjyshi im, i cili para kësaj ka pasur postin e kryetarit të i qeverisë shqiptare dhe i detyruar të japë dorëheqjen pas atentatit mbi të, nuk mund të pajtohej me faktin se autoritetet e reja kishin vendosur  të bashkëpunonin aktivisht me BRSS-në. Atëherë ai iu drejtua për ndihmë oficerëve rusë bjellogardistë [ish-ushtarakë të perandorisë së përmbysur ruse nga bolshevikët në revolucionin e tetorit 1917], të cilët jetonin në Mbretërinë fqinj të Serbëve, Kroatëve dhe Sllovenëve. Në dhjetor të vitit 1924  ushtria shqiptare prej shtatëmijë vetash nuk mundi të përballojë qindra oficerë rusë, të cilët, pas dy javë luftimesh, së bashku me gjyshin tim hynë në Tiranë. Pastaj Shqipëria u shpall republikë, presidenti i së cilës u bë Ahmet Zogu.

Unë u jam përjetësisht mirënjohës atyre emigrantëve rusë, të cilët duke mbështetur gjyshin tim ndryshuan kështu rrjedhën e historisë dhe së paku për disa vite vonuan vendosjen e regjimit komunist në Shqipëri. Është fakt i mirënjohur se vitet e sundimit të gjyshit tim, fillimisht me statusin e presidentit, dhe pastaj të mbretit, konsiderohen periudha më e mirë e historisë shqiptare të shekullit të njëzetë. Pa rusët kjo nuk do të kishte ndodhur.

Nga një intervistë më 27 qershor 2012 e Lekës II, në atë kohë këshilltar i Presidentit të Republikës, Bujar Nishani, dhënë të përjavshmes ruse “Eho planety”, botim i agjencisë së lajmeve të Kremlinit ITAR TASS.

/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/