Itali, 6 prill 2014 – Zarif Hyseni, 49 vjeç nga Mitrovica sulmon djalin e tij 17 vjeç në stacionin e autobusit në Bolzano. I riu është në gjendje kritike për jetën, ndërkohë që policia ka prangosur kosovarin.  Mediat italiane raportojnë se 49 vjeçari e ka goditur të birin tri herë me thikë pas shpine.

Mësohet se ngjarja e rëndë është regjistruar në datë 3 prill. Djali, vetëm 17 vjeç, që kthehej nga puna ka rënë në tokë, ndërsa kanë qenë udhëtarët e shumtë që kanë mundur të ndërhyjnë për t`i shpëtuar jetën. Babai-vrasës ka ikur me vrap nga stacioni i autobusit duke marrë një tren për t`u larguar nga vendi i ngjarjes.

Karabinierët janë vënë në ndjekje të burrit me karakteristikat e dhëna prej dëshmitarëve dhe pas prangosjes, kanë mësuar se në të vërtetë atentatori i të riut ishte vetë i ati i tij. 17-vjeçari mësohet se vijon të jetë në gjendje të rëndë, pasi njëra prej goditjeve i ka prekur veshkën. Nga të dhënat e policisë italiane, prindërit e 17 vjeçarit A. Hyseni ishin të ndarë, ndërsa burri kishte edhe dy martesa të tjera. Ai është nga Kosova, ndërsa nëna e djalit të plagosur është nga Shqipëria. Nga martesa e tyre kishin ardhur në jetë pesë fëmijë.

Çifti ishte divorcuar, ndërsa gjykata kishte lëshuar edhe urdhër mbrojtjeje për gruan shqiptare dhe nënën e 5 fëmijëve. Por pavarësisht faktit që Hysenit nuk i lejohej të afrohej në shtëpinë ku jetonte ish gruaja me pesë fëmijët, ai disa herë kishte kërcënuar ish-bashkëshorten se do ta vriste nëse nuk e lejonte të shkonte në shtëpinë e saj. Kërcënimet kanë vijuar ndërsa i biri i ka kërkuar disa herë t`i linte të qetë, pasi ai kishte dhe dy gra të tjera.

Mediet italiane raportojnë se 17 vjeçari, ndonëse pa i mbushur ende 18 vjeç punonte që të siguronte jetesën për nënën dhe katër motrat e tij. Nga dëshmitë e babait-monstër që ka dashur t`i marrë jetën të birit në stacionin e autobusit është mësuar se ai nuk ka qenë i pajisur me thikë, por atë ia kishte marrë të birit, pasi ai kishte dashur ta vriste. Ndërkohë policia ka siguruar me dhjetëra pamje filmike nga të cilat mësohet se djali u qëllua pas shpine dhe se agresori e qëlloi atë tri herë me thikë.

/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/