Tiranë, 6 prill 2014– Gjykata e Tiranës ka dhënë urdhër për ngritjen e pasurive të Leka Zogut. Shkak për këtë është bërë fakti se Leka Zogu nuk ka paguar një kredi prej 518 mijë euro, të cilën e ka marrë në vitin 2009.
Sipas gazetës "Panorama”, Leka Zogu nuk ka paguar këstet e kredisë dhe për këtë arsye është paditur në gjykatë. Atij i janë bllokuar katër prona nga ana e përmbaruesve privatë prej disa kohësh, dhe me vendimin e gjykatës, kjo gjë tashmë zyrtarizohet.
VENDIMI
Vendimi gjyqësor që rrëzoi pretendimet e princ Lekës u shpall më 31 mars 2014 në Gjykatën e Tiranës nga gjyqtarja Brunilda Kadi. Kërkesë-padia e rrëzuar kishte si objekt “Kundërshtimi i veprimeve përmbarimore të palës së paditur, shoqëria përmbarimore të përshkruara në urdhrin ‘Për vendosjen e sekuestros konservative’, me nr. 11430, datë 06.12.2013”.
Sipas vendimit të gjykatës, kërkesa e Zogut ishte e pabazuar në ligj dhe si e tillë duhet të rrëzohej. “Në këtë gjykim rezultoi e provuar nga provat dhe vetë pohimet e palës paditëse (Zogu) se është ai që ka marrë një kredi nga pala e paditur dhe nuk e ka shlyer atë, duke shkelur çdo detyrim kontraktual dhe ligjor ndaj kësaj pale të paditur”, thuhej në vendimin e gjykatës. Sipas gjykatës, për sa kohë përmbaruesi ka një titull ekzekutiv të vlefshëm për të ekzekutuar, ka të drejtën dhe detyrimin të kryejë të gjitha veprimet që i përcakton ligji për të bërë të mundur ekzekutimin e tij.
/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





