Gjermani Simon Alexander Harm, evazion fiskal dhe cenim të sovranitetit të shtetit duke shpërfillur autoritetet shqiptare. “Dyrrah”-u zbulon një skandal ndërkombëtar të paprecedent të një investitori të huaj
- Në ndihmë dhe për kujtesë të:
- Ministrisë të Transportit dhe Infrastrukturës të Republikës së Shqipërisë
- Ministrisë së Financave të Republikës së Shqipërisë
- Prokurorisë së Përgjithshme të Republikës së Shqipërisë
- Ambasadës Gjermane në Tiranë për të njoftuar organet kompetente të atij vendi për hetime
- Të gjithë interesuarve apo që kanë të bëjnë me këtë problem
Nga Gjergj Thanasi, Thanas Mustaqi
DURRËS, 5 prill 2014 – Në Shqipëri të huajt mund të vendosin tarifa… pa leje! Edhe pse me shkresë, qysh më 14 shkurt 2014, u bë e qartë se “AFTO nuk mund të aplikojë asnjë tarifë të re apo të ndryshuar, për të cilën nuk nënshkruhet marrëveshje dhe nuk ndiqen hapat”përkatës, menaxheri gjerman i Terminalit të Trageteve (AFTO shpk) z. Simon Alexander Harm bën ligjin, duke shpërfillur me arrogancë sovranitetin e shtetit shqiptar me penalizmin ndaj agjentëve të tjerë privatë në port duke aplikuar një tarifë deri 4 herë më të lartë!
500 LEKË PËR NJË PALETË!
Në muajin mars 2014 “Dyrrah” mësoi se operatorëve privatë që kërkojnë shërbime për përpunim ngarkesash me leftarak (vinç pirun) në terminalin e trageteve, u dashur të paguajnë një tarifë prej 500 lekë për një paletë (shih faksimilet nr. 2 dhe 3).
Sipas verifikimeve që u bënë nga “Dyrrah”-u, kjo tarifë nuk figuron në librin përkatës të APD-së, të miratuar dhe me Udhëzimin e përbashkët nr. 581/1, datë 6.2.2013 “Për përcaktimin e tarifave të shërbimit në Autoritetin Portual Durrës” të Ministrisë së Financave dhe [ish-] Ministrisë Punëve Publike dhe Transportit [sot Ministria e Transportit dhe Infrastrukturës].
Lidhur me këtë problem, më 25 dhe 26 mars 2014, “Dyrrah”-u u është drejtuar me e-mail drejtorisë së përgjithshme ekzekutive APD sha dhe koncensionarit të Terminalit të Trageteve AFTO (Albanian Ferry Terminal Operator) shpk.
Deri më 5 prill 2014 koncensionari gjerman-shqiptar [laçjan, sipas deputetit Lefter Koka] nuk ka kthyer përgjigje.
QIRAJA E LEFTERAKUT: 24 EURO PËR 1 ORË
Me porosi të drejtorit të përgjithshëm ekzekutiv të kompanisë shtetërore / publike Autoriteti Portual Durrës (APD) sha z. Selim Belortaja dhe pas një bisede me z. Fatmir Lila, ky i fundit dha këtë përgjigje me e-mail më 26 mars 2014:
“Duke marrë shkas nga kërkesa [e “Dyrrah”-ut] lidhur me një tarifë (500 lekë/paleta), e cila aplikohet nga operatori AFTO në terminalin e Trageteve sqaroj se në librin e tarifave në kapitullin 2 “Tarifat e përpunimit të pagueshme nga pronari apo agjenti i anijes apo mallit” dhe kapitullin 3 “Tarifat e përpunimit te anijeve me mallra”, në pike 3.11/b të saj, që bën fjalë për: 1.1 “Tarifat e përpunimit të automjeteve [1] dhe makinave (mallra Ro/Ro), dhënia me qira e lefterakut të portit në terminalin e trageteve për përpunimin e mallrave në bord të anijes, njësi/orë 24 euro. Pra siç edhe shihet nga libri i tarifave të APD-së nuk ka një tarifë të tillë”.
Këtë tarifë e gjejmë dhe në faqen në internet të koncesionarit të Terminalit të Trageteve (shih faksimilen 4).
JA PSE JO
Kjo që u shtjellua më sipër, është gjysma e së keqes, pasi vendosja e paligjshme e tarifës është bërë me arrogancë, duke sfiduar jo thjesht APD-në, por sovranitetin e shtetit shqiptar, që ka investuar dhe do të paguajë edhe kredinë rreth 22 milionë euro për ndërtimin e tij.
Në të vërtet, “mëkëmbësi” i administratorit Christian Baumberger (FRS Chartering Beteiligungsgesellschaft MBH) i AFTO-s Simon Alexander Harm ka kërkuar zyrtarisht aplikimin e tarifës “500 lekë për një paletë” më 5 shkurt 2014.
Por drejtori i përgjithshëm ekzekutiv i kompanisë shtetërore të Autoritetit Portual, z. Selim Belortaja i ka bërë të ditur, më 14 shkurt 2014 (shih më poshtë tekstin e plotë të shkresës dhe faksimilen nr. 1), se “në Kontratën e Koncesionit për Menaxhimin, Operimin dhe Mirëmbajtjen e Terminalit të Trageteve të Portit të Durrësit të lidhur në datë 22 gusht 2013, në pikën 2.6.2.g, parashikohet që “APD ka të drejtën që në çdo kohë, nëpërmjet marrëveshjes me shkrim me Koncesionarin, të ndryshojë pjesërisht ose tërësisht tarifat e publikuara në përputhje me legjislacionin në fuqi në momentin e ndryshimit” dhe se “sipas përcaktimeve në ligj…, tarifat e reja apo ndryshimet e propozuara nga ndonjë operator që punon në port, Autoriteti Portual pas këshillimeve me Këshillin Konsultativ të portit cakton një kufi”.
Belortaja njofton se është ngritur një grup pune për këtë qëllim, prandaj “AFTO nuk mund të aplikojë asnjë tarifë të re apo të ndryshuar, për të cilën nuk nënshkruhet marrëveshje dhe nuk ndiqen hapat e lartpërmendur”.
E KËRKON, S’TA JEP? MERRE, SE NUK TË THOTË GJË!
E megjithatë, AFTO-ja e ka vënë para faktit të kryer shtetin shqiptar me logjikë banditësh dhe kolonizatorësh: e kërkon, s’ta jep? Merre, se nuk të thotë gjë!
Po e argumentojmë një nga rastet, për të cilin lexuesi mund të bindet edhe nga faksimilet nr. 2 dhe nr. 3.
Kështu, sipas urdhrit të punës për lefterakun, ky i fundit ka punuar për 30 minuta ose gjysmë ore; sipas tarifës në fuqi, automjeti i përpunuar në traget, duhet të paguante gjysmën e tarifës prej 24 euro, d.m.th. 12 euro; me një kurs mesatar euro/lek prej 139,9 lekë, gjithsej 1 678.94 lekë; por u faturuan jo në euro, por në monedhë shqiptare, 6 000 lekë (12 paleta x 500 lekë) ose 42, 8 euro; shihet se AFTO-ja ka kërkuar 3,6 herë më shumë.
Vetëm për një kamion për gjysmë ore, gjermano-shqiptarët fituan një diferencë të pataksuar prej 6 000-1 678.94 = 4321.06 lekë ose 30,8 euro!
Me këtë tarifë të paligjshme në qindra kamionë, me lefterakun e portit, koncesionari fiton me qindra mijë euro qyl në kurriz të transportuesve dhe shtetit shqiptar.
Sipas CEO-s së APD-së, Selim Belortaja, “terminali i udhëtarëve i kushton portit sot, më shumë se sa të ardhurat që porti merr prej tij. Sfida jonë e parë sot është ri-analiza e eficiencës së këtij privatizimi, dhe kjo nuk është një gjë negative, përmes kësaj analize ne ose do t’i vëmë në pozita pune më të mira operatorët ekzistues ose do t’i bëjmë të pranojnë që nuk janë operatorët e duhur, duke u hapur rrugën zgjidhjeve më eficiente”
ÇFARË DETYRIMESH KA SHTETI SHQIPTAR
Nuk dihen hapat që do të ndërmarrë shteti shqiptar (Ministria e Transportit dhe Infrastrukturës dhe APD-ja), pasi rasti kërkon veprime ligjore në prokurori dhe gjykatë.
Së pari, shteti shqiptar (Ministria e Transportit dhe Infrastrukturës dhe APD-ja) detyrohet ose të dëmshpërblejë operatorët që kanë paguar një tarifë 3-4 herë më të lartë se ajo ekzistuese ose të bëjë padi civile ndaj AFTO-s.
Së dyti, shteti shqiptar (Ministria e Transportit dhe Infrastrukturës dhe APD-ja) detyrohet të kallëzojë krimin fiskal, pasi për diferencën në tarifë, AFTO-ja nuk ka paguar detyrimet sipas kontratës së koncesionit.
Së treti, shteti shqiptar (Ministria e Transportit dhe Infrastrukturës dhe APD-ja) detyrohet të dërgojë në prokurori AFTO-n për shkelje të sovranitetit, madje, ta padisë në organet kompetente gjermane, pasi ky shtet i BE-së i ndëshkon me ligjet e veta investitorët e saj jashtë shtetit për korrupsion (mënyra se si është fituar koncesioni në kundërshtim me ligjet shqiptare) dhe evazion fiskal.
Së katërti, shteti shqiptar (Ministria e Transportit dhe Infrastrukturës dhe APD-ja) ka detyrimin të anulojë koncesionin (për arsyet shihni faksimilet më poshtë).
Së pesti, vetë ministri z. Edmond Haxhinasto në vizitën e tij para dy muajsh në terminal u deklaroi gazetarëve se do të mbrojë interesat e konsumatorëve shqiptarë.
Ai theksoi se do të diskutojë me kompanitë e ndryshme koncesionare në portin e Durrësit për uljen e mëtejshme të tarifave, që ato aplikojnë për shërbimet, që kryejnë në koncesionet e tyre.
Dokumenti
Autoriteti Portual Durrës Nr. prot: 332/1
Durrës, më 14.02.2014
Lënda: Mbi aplikimin e tarifës së përpunimit të mallrave me lefterak
Drejtuar: Albanian Terminal Operator shpk Durrës.
I nderuar [Simon Alexander] Harm!
Autoriteti Portual Durrës pasi mori në shqyrtim shkresën tuaj nr. 80, datë 05.02.2014 “Mbi aplikimin e tarifës së përpunimit të mallrave me lefterak”, ju informon se në Kontratën e Koncesionit për Menaxhimin, Operimin dhe Mirëmbajtjen e Terminalit të Trageteve të Portit të Durrësit të lidhur në datë 22 gusht 2013, në pikën 2.6.2.g, parashikohet që “APD ka të drejtën që në çdo kohë, nëpërmjet marrëveshjes me shkrim me Koncesionarin, të ndryshojë pjesërisht ose tërësisht tarifat e publikuara në përputhje me legjislacionin në fuqi në momentin e ndryshimit”. Sipas përcaktimeve në ligjin nr. 9130, datë 8.9.2003 “Për Autoritetin Portual”, tarifat e reja apo ndryshimet e propozuara nga ndonjë operator që punon në port, Autoriteti Portual pas këshillimeve me Këshillin Konsultativ të portit cakton një kufi më të lartë të këtyre tarifave. Në rastin e miratimit të tarifave të reja apo të ndryshimeve, ato hyjnë në fuqi pas 60 ditësh nga data e botimit në gazetë.
Në lidhje me tarifën e propozuar nga ju, grupi i punës i ngritur për këtë qëllim do të relatojë qëndrimin përkatës.
Për sa më sipër AFTO nuk mund të aplikojë asnjë tarifë të re apo të ndryshuar, për të cilën nuk nënshkruhet marrëveshje dhe nuk ndiqen hapat e lartpërmendur [nënvizim i “Dyrrah”-ut].
Ju faleminderit për mirëkuptimin.
Selim Belortaja
Drejtor i Përgjithshëm
[nënshkrimi, vula]
Info
Ministria e Punëve Publike dhe Transportit (MPPT), më 29 korrik 2013 (me 40 ditë vonesë!) njoftonte se ishte pranuar oferta që ka bërë më 20 qershor 2013 (një javë pas afatit) “Albanian Ferry Terminal Operator” me seli në Durrës “Për dhënien me koncesion të menaxhimit, operimit, mirëmbajtjes të Terminalit të Trageteve në Portin e Durrësit”.
Më 13 maj 2013, MPPT-ja, në emër të Kryeministrit Sali Berisha, ka bërë të ditur se asnjë ofertë e paraqitur pas 13 qershorit 2013 nuk do të pranohej.
Në buletinin e 29 korrikut 2013 të Agjencisë së Prokurimit Publik është botuar njoftimi i Ministrisë së Punëve Publike dhe Transportit, që lajmëronte subjektin AFTO (Albanian Ferry Terminal Operator), bashkimi i kompanisë [gjermane] FRS Chartering Beteiligunsgesellschaft MBH dhe një tjetre [ndoshta shqiptare] Global Albania Networking, se oferta e paraqitur më datë 20.6.2013 për dhënien me koncesion të “Menaxhimit, Operimit, Mirëmbajtjes dhe përmirësimit teknik të Terminalit të Trageteve në Portin e Durrësit”, për Net Present Values të projektit prej 3.141.909,00 euro është pranuar.
AS NË NIVELIN E NJË KOMUNE DOSIDO
Çfarë bie në sy.
Së pari, ish-Kryeministri Sali Berisha, që e ka përuruar, së bashku me ministrin e ndjerë Sokol Olldashi, më 11 korrik 2012, nuk arsyetojnë pse është shkelur afati i pranimit të ofertës.
Në buletinin e 13 maj 2013 të Agjencisë së Prokurimit Publik, MPPT-ja bën të ditur se “Ofertuesit e interesuar mund të njihen me dokumentet standarde të procedurës konkurruese në faqen zyrtare të Agjencisë së Prokurimit Publik, prej datës 13 maj 2013. Ofertat do të ngarkohen në faqen zyrtare të Agjencisë së Prokurimit Publik jo më vonë se data 13 qershor 2013, ora14 00. Asnjë ofertë e paraqitur pas këtij afati nuk do të pranohet”. Kurse më 29 korrik, si pa gjë të keq, thotë se “oferta e paraqitur më datë 20.6.2013… është pranuar”.
Së dyti, në njoftimin e 29 korrikut 2013 mungonte informacioni standard ligjor për zhvillimin e konkurrimit: numri i pjesëmarrësve, adresa, ofertat, arsyet e kualifikimit dhe mos-kualifikimit (që këtë e bën, e detyruar me ligj, edhe komuna më e largët dhe e vogël e Shqipërisë).
Në momentet e fundit, kur do të largohej nga posti, ish-drejtori i përgjithshëm ekzekutiv i Autoritetit Portual Durrës sha, Eduard Ndreu, nuk e kanë lënë të ftohet hallva, por brenda tri javësh, ka zbatuar amanetet e ish-Kryeministrit Sali Berisha dhe ish-ministrit të PPT, Sokol Ollashi për koncesionin e dyshimtë të terminalit të trageteve.
Sikurse ka njoftuar me një ditë vonesë APD sha, kjo e fundit ka kryer më 11 shtator 2013 procedurat e dorëzimit të terminalit të trageteve dhe të transferimit të punonjësve shoqërisë koncesionare.
Madje, Ndreu mburrej se “me dhënien në koncesion të menaxhimit, operimit dhe mirëmbajtjes dhe përmirësimit teknik të Terminalit të Trageteve, APD sh-ja, pas dhënies më parë në koncesion të shërbimeve të terminalit të kontejnerëve dhe terminalit lindor, ka kryer një hap tjetër të rëndësishëm në zbatim të ligjit për Autoritetin Portual Durrës. Me kryerjen e privatizimit të shërbimeve të Terminalit Perëndimor, procedurë, e cila po vazhdon, APD sha-ja plotëson komplet rolin e tij si port administrues toke sipas standardeve evropiane”.
NXITIMI
Bie në sy nxitimi i klikës qeveritare-portuale për të larë njëherë e mirë hesapet me koncesionet e përfolura të portit.
Në këtë moment qeveria Berisha nuk qeveriste më, thjesht pas shprehjes së vullnetit të shqiptarëve në 23 qershor, ajo ishte një qeveri “dezhurn’ derisa t’i dorëzonte detyrën qeverisë së fituesve të zgjedhjeve dmth. Z. Rama.
Kontrata e koncesionit të terminalit të trageteve është lidhur me datë 22 gusht 2013 midis Ministrisë së Punëve Publike dhe Transportit (MPPT) dhe shoqërisë koncesionare Albanian Ferry Terminal Operator Shpk, bashkimi i shoqërive FRS Chartering Beteiligunsgesellschaft mbH dhe Global Networks Albania shpk, kurse marrja në dorëzim bëhet brenda tri javësh, më 11 shtator 2013.
Pasi shteti shqiptar investoi 21,9 milionë euro për terminalin e përuruar një vit më parë, APD sha-ja thotë se shoqëria koncesionare do të investojë për 10 vitet e para rreth 4,143,000 euro nga të cilat 2,553,000 euro në mjete dhe makineri, pajisje përpunuese dhe operative e nevojshme dhe rreth 1,590,000 euro për infrastrukturën.
Dhe, si për të qetësuar opinionin publik, APD sha-ja thotë se me dhënien në koncesion të menaxhimit dhe operimit të terminalit APD-ja do të vazhdojë të ketë 100 për qind të ardhurat nga tragetet, si ato të kanalit dhe të përdorimit të kalatës, ndërkohë që do të ketë të ardhura të tjera nga të gjitha shërbimet në masën 50 për qind dhe të ardhurat nga qiraja vjetore.
Nga ana tjetër, autoriteti kontraktues, MPPT-ja, do të ketë 2 për qind të të ardhurave.
NUK MBAROJNË KËTU SHKELJET

Në tri faksimile e fundit, që po botojmë, del se:
- kompania gjermane-shqiptare e Terminalit të Trageteve AFTO shpk u krijua më 14 qershor 2013, një ditë pas skadimit të afatit të paraqitjes së ofertës për koncesionin(faksimile nr. 5);
- sipas faqjes së parë të ekstraktit historik në Qendrën Kombëtare të Regjistrimit, kompania gjermane-shqiptare është regjistruar më 17 qershor 2013, katër ditë pas skadimit të afatit të paraqitjes së ofertës për koncesionin (faksimile nr. 6);
- sipas kopertinës së pasqyrave financiare për vitin 2012 të bashkë-koncensionarit të Terminalit të Trageteve, firmës shqiptare “Global Networks Albania shpk”, kjo e fundit nuk është marrë ndonjëherë me transport detar, por ka pasur si veprimtari kryesore “Zhvillimin dhe operimin e rrjetave të fibrave optike”. Firma gjermane e ka zgjedhur për partner!
SHKURT PAZARI
Ky koncesion, që në dhënien e tij nga ish-qeveria në ikje Berisha , është i kundërligjshëm.
Në dhënien e tij janë shkelur detyrime, që përcakton ligji në mënyrë flagrante madje edhe në gjëra të tilla aq formale si regjistrimi në QKR i firmave, që pretendojnë të hyjnë në një garë publike (garën për koncesion).
Bën mu që ky koncesion është i jashtëligjshëm, dëmtues i arkës së shtetit shqiptar,dëmtues i xhepave të individëve dhe firmave, që do të operojnë në këtë terminal, apo që do të sjellin mallra e udhëtarë nëpërmjet këtij terminali, etj., etj.
Ne, si gazetarë, në mënyrë modeste, i kujtojmë qeverisë së Rilindjes këshillën e mikut të Shqipërisë ambasadorit amerikan Arvizu:
ACT NOW!
Vepro tani!
Ke marrë votën e shqiptarëve, ndër të tjera, për të mbrojtur xhepat e tyre nga kushdo, që do veprojë si “xhepist” i rëndomtë duke futur duart në xhepat e këtyre shqiptarëve.
Vepro tani, qeveri!





