Itali, 5 prill 2014 – Tashmë edhe Milani po mendon të peshkojë në Lindjen e Mesme. Administratorja e klubit kuqezi, Barbara Berluskoni, të dielën do të fluturojë për në Emiratet e Bashkuara Arabe, ku ajo do të zhvillojë një takim me krerë të lartë të sponsorit “Fly Emirates”. Pasi të ketë mbyllur bisedimet me ta, Barbara do të niset për një udhëtim të ri në Azi. Objektivi është gjithmonë i njëjtë: kërkimi i sponsorëve të rinj për të investuar në klubin italian. Vajza e presidentit të Milanit do të ndalojë në Singapor, shtet ku jeton Piter Lim, miliarderi që disa muaj më parë kërkoi që të blinte aksionet e klubit të Valencias. Sipas asaj që raportohet në shtypin italian, ky i fundit duket i interesuar për të bërë për vete 30% të aksioneve të Milanit, të cilat së fundmi janë nxjerrë në shitje. Miliarderi aziatik është parë së bashku me ortakun e tij të biznesit, Mendes në “San Siro”, në ndeshjen e fundit që kuqezinjtë luajtën përballë Kievos. Mësohet se Lim është i gatshëm të ofrojë një shifër stratosferike prej 300 milionë euro për të siguruar kuotën e aksioneve të klubit. Kuqezinjtë janë në kërkim të një partneri për t’i dhënë jetë erës së re të klubit dhe mësohet se familja Berluskoni është e gatshme të shesë 30% të aksioneve. Për këtë kuotë, italianët kanë fiksuar dhe shumën që duan të arkëtojnë nga ortakët e rinj. Ajo kap shifrën e 300 milionë eurove. Për momentin, sipas personave të mirinformuar, tratativa është në fazën fillestare, por me kalimin e muajve mund të ngrihet në këmbë një marrëveshje e mundshme.
/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





