Tiranë, 5 prill 2014 – Ndriçim Xhepa është protagonist në serialin më të ri shqiptar, i titulluar “Millenium”, që është shfaqur për publikun nga 3 marsi në ekranin e Televizionit Publik Shqiptar. Me regji të Besnik Bishës, seriali televiziv sjell aktorin e njohur 57- vjeçar në rolin e një politikani të dikurshëm, që tashmë është bërë biznesmen. Personazhi i tij quhet Petro dhe në skenat e xhiruara në Tiranë, Vlorë e Lezhë, në fund ai qëllohet me armë. Duke folur për eksperiencën e këtij roli, tashmë që filmi ka përfunduar, Xhepa u shpreh në një intervistë në TVSH se: “Kemi punuar shumë orë për xhirimet, dhe gjatë momenteve të vrasjes që do të ndodhte në një vend me shumë gurë, rrezikoja të pësoja goditje në kokë gjatë momentit të rrëzimit. Ai moment duhet të dukej sa më i natyrshëm, dhe vërtet mund të them se kam rrezikuar jetën gjatë xhirimeve të asaj skene”, tha Xhepa. Filmi triller ka pesë seri dhe është prodhim i Radio-Televizionit Publik Shqiptar. Sa i takon kastit të aktorëve, bashkë me Xhepën luajnë dhe Enea Zhegu, Ervin Bejleri, Olta Gixhari, Klea Huta, Eralda Hitaj. “Millenium” është një nga prodhimet e fundit kinematografike me pjesëmarrjen e Ndriçim Xhepës. Pas filmit me metrazh të shkurtër “Më në fund në shtëpi”, Xhepa ishte protagonist në filmin “Ada” të Spartak Pecanit.

/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/