Itali, 4 prill 2014 – Një 15 vjeçare italiane, ka rrëfyer para karabinierëve se shiste trupin e saj për të fituar disa para më shumë, sesa shuma javore që i kalonin prindërit. Stefania, është emri me të cilin njihej adoleshentja në rrjetin e prostitucionit ku ishte përfshirë. Ajo ka treguar para hetuesve se ishte një 21 vjeçare që e futi në këtë rrjet. Stefania kishte zili veshjet firmato dhe faktin që vajza e re mund t’i lejonte vetes plotësimin e çdo kapriçoje, e për këtë ishte bërë kurioze dhe kërkonte të mësonte nëse dhe ajo mund të fitonte pak para më shumë sesa i jepnin prindërit e saj.

Në këtë mënyrë 15 vjeçarja u fut në një agjenci modelesh, që shërbente si karrem për të tërhequr vajza të reja, e njëkohësisht për të mbuluar para karabinierëve aktivitetin e paligjshëm. Adoleshentja u njoh me 55 vjeçarin Glauco Giudotti, personin që rregullonte takimet e vajzave të reja me klientët.

Madje para hetuesve, Stefania ka treguar se ishte Glauco ai që e shoqëronte me makinë nëpër takime, priste derisa kryente marrëdhënie me klientin e më pas merrte pagesën që e ndante me adoleshenten. Stefania ka rrëfyer para hetuesve, se zakonisht fitonte 200 euro për çdo marrëdhenie seksuale me klientët.

Tashmë hetuesit janë duke punuar për të identifikuar klientët e 15 vjeçares. Mësohet se rreth 20 persona janë mes të dyshuarve.

/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/