Tiranë, 4 prill 2014 – Agjencia e Kthimit dhe Kompensimit të Pronave dorëzoi sot në Prokurorinë e Tiranës një kallëzimin penal për fillimin e procedimit në lidhje me paligjshmëritë e konstatuara në katër vendimet për kthim prone brenda territorit të Gardës së Republikës.
Sipas AKKP-së, vendimet janë miratuar nga zyrtarët e kohës në fund të muajit gusht 2013 me procedura të përshpejtuara. Konkretisht AKKP-ja kallëzon në Prokurori për shpërdorim detyre, ish-Drejtorin e Përgjithshëm Avenir Peka, Agim Toron, zv/ Drejtor i Përgjithshëm dhe Drejtor Drejtorie, Ardian Spahiajn, ish-Përgjegjës i Sektorit Juridik dhe Kontrollit dhe Arben Cenaliajn, ish-Përgjegjës i Sektorit të Shqyrtimit për Qarkun e Tiranës
Sipas AKKP-së, “në dosje mungojnë konfirmimet nga institucionet përgjegjëse në zbatim të ligjit në fuqi. Janë shmangur korrespondecat dhe bashkëpunimi me autoritetet kompetente në administrim të të cilave ka qenë prona e kthyer. Në dosjet përkatëse janë vënë re shkelje të cilat kanë të bëjnë me procesin e aplikimeve, verifikimeve në terren, shqyrtimit të akteve nga grupi i punës, shqyrtimi nga Sektori Juridik dhe Kontrollit dhe vendimmarrja e Drejtorit të Kthimit dhe Drejtorit të Përgjithshëm të AKKP.”
“Kryerja dhe moskryerja me dashje e veprimeve dhe mosveprimeve të kundraligjshme nga ana e zyrtarëve bie qartë në kundërshtim me ligjin Nr. 9235, datë 29.07.2004 “Për Kthimin dhe Kompensimin e Pronave”, VKM nr. 255, datë 13.04. 2010 “Për procedurat e mbledhjes, përpunimit dhe administrimit të akteve të subjekteve të shpronësuara, gjatë procesit të njohjes dhe kthimit apo kompensimit të pronës”, dhe përbëjnë mospërmbushje të rregullt të detyrës nga punonjësve përgjegjës të cilët kanë dëmtuar dhe interesat e institucionit “Garda e Republikës”. Për këtë arsye, bazuar në nenin 281, të Kodit të Procedurës Penale i Republikës së Shqipërisë, për personat e lartpërmendur, AKKP kërkon regjistrimin e procedimit penal për veprën penale të parashikuara në nenet 248 “Shpërdorimi i detyrës”dhe 25 “Bashkëpunimi i personave për kryerjen e veprës penale ” të Kodit Penal të Republikës së Shqipërisë”,– thuhet në deklaratën e AKKP-së.
/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





