Fushë-Krujë, 4 prill 2014 – Dy persona janë vrarë me armë zjarri mbrëmjen së enjtes në fshatin Tapizë në Fushë-Krujë. Dy viktimat ishin duke udhëtuar nga Tirana drejt Fushë-Krujës me një motorçikletë tip Yamaha me tagra AA441. Policia bën të ditur se nga atentati kanë mbetur të vrarë dy të rinj; Fabio Xhunga, 33 vjeç, banues në Kamëz dhe Gjin Nika, 34 vjeç, lindur në Bulqizë dhe biznesmen i kromit në qytetin verior.

Atentati është kryer në rrugën nacionale duke iu afruar fshatit Qerekë, ku dy personat po udhëtonin nga Fushë-Kruja në drejtim të Tiranës. Atentati vjen vetëm dy muaj, pasi Gjin Nika ishte liruar nga burgu, ku ishte arrestuar si i dyshuar për një sërë ngjarjesh. Pas atentatit janë ngritur postblloqe në disa qytete me qëllim kapjen e autorëve. 

Ndërkohë në vendngjarje ka mbërritur grupi hetimor, i cili po kryen veprimet e para proceduriale dhe po punon për zbardhjen e motiveve të ngjarjes së rëndë dhe identifikimin e kapjen e autorëve të vrasjes.

Ende nuk dihet autori apo autorët e ngjarjes dhe lidhja e dy të vrarëve me njëri tjetrin. Forcat e Policisë së Krujës dhe ato të Tiranë kanë shoqëruar disa persona, ndërsa ekzekutimi dyshohet të ketë ndodhur për hakmarrje.

Nika është liruar pak javë më parë nga paraburgimi, pasi ishte arrestuar në Tiranë gjatë muajit janar, si i dyshuari kryesor për dy vrasje, një të ndodhur në Tiranë dhe një në Bulqizë.

Gjin Nika dyshohej si autori i ekzekutimit të biznesmenit të kromit, Hasan Talja mbrëmjen e 17 janarit të këtij viti, në rrugën “Bajram Allaraj”, pak metra mbi tregun elektrik në kryeqytet.

Nika u vu në pranga nga uniformat blu vetëm pak ditë më pas si i dyshuari kryesor për këtë krim, i cili në atë kohë u fol se bëhej fjalë për konflikte në lidhje me menaxhimin e minierave të kromit në Bulqizë. 

/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/