Itali, 3 prill 2014 – Mafia siçiliane tashmë ka vendosur një bashkëpunim të ngushtë me përfitim të ndërsjelltë me bandat shqiptare të trafikantëve të drogës. Policia e portit siçilian të Katanias bllokoi një kamion në molon e portit, ndërsa po ngarkonte kanabis nga një peshkarexhë. Tetë italianë u arrestuan dhe droga bashkë me kamionin dhe peshkarexhën u sekuestruan.

2062 kg kanabis i ambalazhuar në 125 thasë u gjetën në peshkarexhën 12 metërshe. Vlera me çmim pakice e drogës shkonte në mbi 10 milion euro. Peshkarexha e kishte ngarkuar drogën në Portin e Korfuzit. Droga ishte prodhim shqiptar i Lazaratit. Policia dyshon se prodhuesi i drogës është klani shqiptar Kazma-Shurdi, po i fshatit të Lazaratit.

Policia italiane po bashkëpunon me autoritetet ligjzbatuese greke dhe shqiptare për  të sqaruar, nëse trafikantët janë ndihmuar nga nëpunës grekë apo shqiptarë për të transportuar sasinë e madhe të kanabisit deri në portin italian.

/gje. th. agjencia e lajmeve “Dyrrah”/