Tiranë, 1 prill 2014 – Ministria e Brendshme ka reaguar menjëherë pas deklaratës së bërë nga Partia Demokratike se kryeministri Rama po emëron drejtorë persona të cilët janë të pandehur për shpërdorim detyre.
Nëpërmjet një deklarate për mediat, Ministria e Punëve të Brendshme sqaron opinionin publik se nuk ka asnjë shkelje ligjore në emërimin e drejtuesve të institucioneve të saj të varësisë, përfshirë Shtëpinë e Pushimit në qytetin e Durrësit.
“Roni Shqiopa, i emëruar në detyrën e Drejtorit të Shtëpisë së Pushimit, rezulton i padënuar asnjëherë nga organet e drejtësisë, çka vërtetohet lehtësisht edhe nga Vërtetimi i Gjendjes gjyqësore të tij. Përsa kohë që ndaj tij nuk ka asnjë dënim të dhënë me vendim gjyqësor të formës së prerë, bazuar mbi parimin e prezumimit të pafajësisë, asnjë shkelje ligjore, apo edhe morale nuk është kryer në emërimin e tij në detyrën e lartpërmendur”,- thuhet në njoftimin e ministrisë së Brendshme.
Ministria e Punëve të Brendshme dëshiron të sigurojë opinionin se të gjitha emërimet e bëra në këtë dikaster, duke nisur që nga specialisti më i thjeshtë e deri te drejtuesit e institucioneve të varësisë janë kryer në mënyrë transparente dhe në përputhje të plotë me legjislacionin në fuqi.
“Është për të ardhur keq që sot po synohet të hidhet baltë mbi drejtuesit e rinj nga ata që deri dje në pushtet, e kishin kthyer administratën publike në strehë personash të inkriminuar e të dënuar me vendimet formës së prerë të gjykatave, apo të shpallur në kërkim ndërkombëtar nga drejtësitë e vendeve fqinje”, thekson Ministria e Brendshme në deklaratën e saj.
/agjencia e lajmeve "Dyrrah"/





