Nga Pirro Naçi
“Blue-flag” është një simbol për cilësinë e plazheve në mbi 50 vende të Europës dhe jo vetëm. Ky certifikim jepet në bazë të kritereve të rrepta të organizatës ndërkombëtare të edukimit mjedisor, FEE, për plazhet e organizuara që menaxhojnë bashkitë, komunat, hotelierët dhe aktorët e tjerë. Në strategjinë sektoriale të turizmit 2007-2013, miratuar edhe me VKM, flitej për kalibrimin e standardeve ndërkombëtare të turizmit, duke inkurajuar kompanitë në këtë sektor për të konkurruar në nivelet më të larta të cilësisë dhe për të aderuar në standardet ndërkombëtare “Blue-Flag”, ose në shqip “flamuri blu / i kaltër”.
Duke parë këto synime optimiste, si dhe zhvillimin me ritme të shpejta të turizmit në një artikull të botuar në vitin 2010, në një nga gazetat më të rëndësishme të asaj kohe, shprehja mendimin për veprime konkrete, që edhe plazhet tona të vendosen në listën e “FEE” dhe turizmi shqiptar të fillonte të hidhte hapat e parë në drejtim të cilësisë së produktit turistik. Shprehja mendimin dhe dëshirën që në vitin e ardhshëm, 2011-ën, çelja e sezonit turistit të kurorëzohej me vendosjen e të parës “Blue Flag” në plazhet tona, duke përmbysur praktikat e vjetra të mitingjeve apo veprimtarive të zhurmshme që më tepër i shërbenin propagandës për hir të propagandës sesa turizmit dhe zhvillimit të tij në veçanti. Por pavarësisht dëshirës, vendimeve qeveritare, strategjisë për zhvillimin e turizmit, “Blue-Flag”-u nuk erdhi, jo vetëm në 2011-ën, por as në 2012-ën, as në 2013-ën, por me sa duket nuk do të vijë edhe në vitin 2014.
Por këtë vit diçka duket se do të ndryshojë; flitet për një vendim për stacionin e plazhit. Por a jemi gati për të vendosur edhe ne të parën “Blue Flag?” Padyshim që po. Sa e vështirë që duket, duke i hedhur një sy kritereve për certifikimin e tyre nga “FEE” po edhe kaq e lehtë është po të shikojmë të gjithë vijën tonë bregdetare. E vështirë për Durrësin, Vlorën apo edhe ndonjë zonë tjetër që kanë probleme me ujërat e zeza në plazhet publike dhe mjaft e lehtë dhe e realizueshme në pika të tjera të bregdetit tonë, ku cilësia e ujit dhe parametrat për certifikimin e tyre janë pothuajse të realizueshme.
Jemi i vetmi vend evropian me një vijë bregdetare (316 km) të konsiderueshme, që ende nuk kemi bërë kërkesën për të marrë këtë certifikim. Pa asnjë centimetër det, vitet e fundit, në liqenin e Aga Ciganilja në Serbi, kanë vendosur të parin “Blue Flag”. Na rroftë ne me artikujt apo publikimet në mediet ndërkombëtare, të cilat na radhitin ndër peizazhet më origjinale të bregdetit evropian. Dhe kjo mesele pothuajse vit për vit nga këto media. Ne vazhdojmë të krenohemi me shifrat dhe me citimet e huaja. Le të marrë mundimin një bashki, një komunë apo edhe individ, edhe në këtë sezon, se kemi kohë akoma për të organizuar një plazh model me kushtet sa më të përafërta me ato të “FEE” dhe do të shikojmë se jo vetëm do të përshëndetet, por do të ketë shumë shpejt edhe mjaft imitues. Çfarë nuk kemi ndërtuar në bregdetin tonë: pallate luksozë, vila të shumta, restorante e mjaft veprimtari të tjera. Aq shumë, sa tani fillojmë dhe i prishim.
Dhe të gjitha këto për të qenë sa më afër detit dhe diellit. Por tek produkti “plazh turistik”, investimet kanë qenë pothuajse në një kuotë mjaft të ulët. Menaxhimi i politikave qendrore dhe lokale për stacionin e plazhit janë përqendruar vetëm në një numër mjaft të vogël. Në shumë plazhe që na i ka dhuruar natyra, nuk ka as rrugë automobilistike dhe as komunikim nga ana e detit për t’i shijuar ato, si nga turistët e vendit, ashtu edhe nga ata të huaj. Në muajt e sezonit të plazhit duhet të kesh “mik” për të gjetur një shezlong apo çadër në anë të detit. 95 për qind e frekuentuesve janë vendas dhe nga diaspora. Të rrallë janë turistët evropianë që mund t’i shikosh në plazhet tona. Gjatë gjithë vitit, promovimi turistik i vendit tonë nëpër panairet ndërkombëtare apo kontaktet me përfaqësuesit e huaj për turizmin dhe sidomos te produkti që ne po shqyrtojmë, nuk po jep rezultatet e pritshme. Ne na duhen turistë që të zbresin në plazhet dhe në vendin tonë një dhe dy javë dhe jo të futen në mëngjes dhe të ikin në darkë që ne të ngopemi me lugën e zbrazët.
Një turist i huaj që futet në vendin tonë dhe shikon vetëm plazhin e Durrësit, Vlorës, Shëngjinit apo edhe ndonjë tjetër, nuk do të entuziazmohet shumë, por përkundrazi, do të zhgënjehet. Nga “Pema e thatë”, që është plazhi më skajor i jugut në Ksamil dhe deri lart në derdhjen e Bunës, vendi ynë ka dhjetëra dhe dhjetëra plazhe apo mikroplazhe që do t’i kishte zili çdo turist i huaj. Ne vetë nuk i dimë se ku janë dhe nuk i shijojmë dot. Bregdeti ynë dhe copëzat e plazheve të mahnitshme janë një pasuri dhe trashëgimi, janë një strategji lokale, kombëtare dhe evropiane që mbështesin miratimin e iniciativave të reja të biznesit.
Këto të gjitha që përmendëm janë njëra amë e problemit për “Blue Flag”-un. Ana tjetër, edhe ajo shumë e rëndësishme, ka të bëjë me plotësimin e kritereve bazë të certifikimit ndërkombëtar. Edukimi dhe informacioni mjedisor, cilësia e ujit, parametrat biologjikë bakterialë, menaxhimi i mjedisit, si dhe siguria dhe shërbimet në stacionin e plazhit, duhet të jenë objekt, si i organeve lokale dhe qendrore, ashtu edhe i sektorit privat që do të ushtrojë veprimtarinë e tyre në produktin – stacion plazhi. Dhe të gjitha këto të mos i presim vetëm nga shteti dhe nga organizmat e tij. Roli i organizatave joqeveritare që merren me ambientin dhe mbrojtjen e tij, të cilat në vendin tonë janë me shumicë, në bashkëpunim edhe me sektorin privat, duhet të bëjnë më shumë në këtë drejtim. Përgatitja e certifikimit “Blue Flag” në të gjithë botën bëhet nga këto organizata. Por jo se shteti nuk ka detyrime në këtë drejtim. Po kapim vetëm një aspekt: punësimi dhe siguria në këto plazhe. Vetëm me një VKM, edhe këtë sezon turistik mund të shtohen mjaft vende pune pa asnjë investim nga buxheti i shtetit. Deri më sot, në vijën bregdetare, të gjithë ata që ushtrojnë veprimtaritë në stacionin e plazhit, nuk kanë shërbimin e skuadrës së shpëtimit (baywatch) apo të ndihmës së shpejtë. E njëjta gjë ndodh edhe në plazhet publike që menaxhohen nga bashkitë apo komunat.
Kjo ndodh edhe në të gjitha hotelet dhe objektet turistike që kanë dhe ku funksionojnë pishina. Po të shikojmë numrin e lejeve që organet lokale apo qendrore japin për stacionet e plazhit dhe pishinat në shkallë vendi dhe kërkesës për skuadrën e shpëtimit, do të shohim se numri është mjaft i konsiderueshëm. Aspekte të organizimit dhe të përfitimit nga plazhet janë të shumta. Shoqatat dhe sektori privat i hotelerisë duhet të jenë më aktiv për realizimin e këtyre pikësynimeve, sepse në fund të fundit, ata do të jenë edhe përfituesit nga ana ekonomike. Duhet të shtojmë këtu edhe, pse jo, kontributin e çdo qytetari. Me “pushtimin” që i kemi bërë social medias- Facebook, Twitter, Instagram etj., mund t’i përdorim ato edhe për promovimin e bregdetit dhe të plazheve tona, duke i postuar ato si në miqtë tanë brenda vendit, por edhe atyre që ndodhen kudo në botë. Turizmi është një çështje shumë serioze që ka nevojë për ndërhyrje të strukturave dhe iniciativave në nivel evropian dhe kombëtar. Në hartën turistike ndërkombëtare duhet të rikompozojmë dhe të fusim sa më shumë produktet e pasura turistike të vendit tonë. Krijimi i një destinacioni brand-i do të jetë bazë e planifikimit strategjik për bregdetin tonë.





