Durrës, 1 prill 2014 – Grindja mes dy adoleshentëve të moshës 15 dhe 14 vjeç është mbyllur me plagosjen e lehtë të njërit pre tyre. Një ditë më parë, rreth orës 15.00, në lagjen nr.3 të qytetit të Durrësit adoleshentët Z.L., 15 vjeç dhe K.H., 14 vjeç janë zënë me njëri-tjetrin për motive të dobëta. Grindja mes të dyve është përshkallëzuar deri në përdorimin e një mjeti prerës nga ana e 15 vjeçarit. Ai ka goditur në krah, të miturin që ka mbetur i lënduar dhe i është drejtuar spitalit rajonal të Durrësit për t’u mjekuar. Nga bluzat e bardha mësohet se 14 vjeçari është plagosur lehtë dhe pas mjekimit është larguar nga spitali. Ndërkohë policia, pasi dokumentoi rastin në fjalë dhe mori dëshmitë e personave të përfshirë në këtë ngjarje, nisi procedimin penal në gjendje të lirë për 15 vjeçarin Z.L., i cili akuzohet për veprën penale ”Plagosje e lehtë me dashje”.

Ndërkohë po dje, një tjetër konflikt për motive të dobëta është regjistruar në qytetin bregdetar. Këtë herë ngjarja ka ndodhur rreth orës 12.30, në lagjen nr.17 Durrës. 42 vjeçari A.C.,banues në Durrës dyshohet se ka goditur me grushta duke i shkaktuar plagë të lehta shtetasit S.M., 22 vjeç. Mësohet se 22 vjeçari ka marrë lëndime të lehta nga konfrontimi fizik me 42 vjeçarin A.C. Policia ka nisur procedimin penal në gjendje të lirë për 42 vjeçarin, ndërkohë që materialet iu kaluan Prokurorisë së Durrësit për veprën penale ”Plagosje e lehte me dashje”.

/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/