Tiranë, 1 prill 2014 – Drejtori për Evropën Qendrore dhe Jugore në DASH, Xhonatan Moore ka kërkuar nga politika bashkëpunim për integrimin e vendit në BE, për të cilën siç ka thënë edhe vetë SHBA është shumë e interesuar. Deklarata është berë sot gjatë takimit që Moore zhvilloi me kreun e Shtetit, Bujar Nishani.
“SHBA-të e konsiderojnë Shqipërinë si një aleat të fortë dhe janë shumë të interesuara për integrimin e saj në Bashkimin Evropian, ndërsa shprehu shpresën se partitë politike shqiptare do të bashkëpunojnë në Parlament dhe institucione të tjera për arritjen e këtij qëllimi”,- ka thene Moore.
Ndërkohë presidenti Nishani solli në vëmendjen e bashkëbiseduesit se aneksimi i saj nga Rusia tërheq vëmendjen tonë se siguria dhe liria nuk duhet të merren si të garantuara, duke shtuar se krahasimi i rastit të Krimesë me atë të Kosovës është një alibi e dobët, ndërsa garantoi që Shqipëria do të jetë përkrah SHBA-ve dhe partnerëve tanë në qëndrimet ndaj Rusisë.
Kreu i Shtetit, duke u ndalur në ecurinë e procesit të integrimit, theksoi se arritjet e deritashme, ambiciet e qeverisë dhe mbështetja e partnerëve evropianë dhe Shteteve të Bashkuara janë bazë për suksesin tonë, duke shtuar, gjithashtu, se ka besim që Shqipëria do të bindë me fakte partnerët evropianë për të marrë statusin e vendit kandidat në qershor.
Moore u shpreh se kontributi dhe sakrificat shqiptare për paqen dhe sigurinë çmohen lart nga administrata amerikane dhe vlerësoi qëndrimin e Shqipërisë për zhvillimet e fundit në Ukrainë, duke e cilësuar aneksimin e Krimesë si të papranueshëm dhe një precedent kërcënues për vende të tjera në rajon.
Bashkëbiseduesit ranë dakord se lufta kundër korrupsionit, reforma në drejtësi dhe reforma territoriale janë sfida shumë të rëndësishme që duhen fituar në interes të qytetarëve dhe ambicies evropiane.
Në këtë kuadër, zoti Moore vuri në dukje se, për shkak të diferencave të krahëve politikë, Presidenti mund të luajë një rol të rëndësishëm për afrimin e tyre. Duke folur për rëndësinë e luftës konkrete kundër korrupsionit, zoti Moore tërhoqi vëmendjen se lufta kundër korrupsionit duhet të përfshijë institucionet e drejtësisë dhe jo institucionet politike.
/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





