Durrës, 1 prill 2014 – Piktori durrsak Skënder Balaj gjatë 20 viteve të fundit ka hapur një sërë ekspozitash personale në vende të ndryshme të Evropës, në Itali, Belgjikë, Holandë dhe Francë. Megjithëse jeton mes Hagës (Holandë) dhe Cesenaticos (Itali) ai “nuk mohon asgjë nga rrënjët e tij, dhe në anën tjetër të Adriatikut po bëhet një piktor evropian”,-shkruan kritiku italian Tinin Mantegazza.
Skënderi kalon një pjesë të vitit në Durrës. Apartamenti që ka blerë buzë detit tashmë ka marrë pamjen e studios ku nuk mungon asgjë.
“Nuk janë vetëm bojrat apo kanavaca, por është edhe peisazhi pranë të cilit jam rritur-thotë piktori 55-vjeçar.
Në punimet e tij bashkë me urat e Venecias gjejmë pa fund rrugicat dhe fasadat e pallateve të Durrësit. “Piktori ndjek ëndrrën e tij artistike, vizionare, jashtë modës, i pasur me kulturë, ose më mirë me kultura, me përvoja dhe me talent, me shumë talent”-nënvizon në shtypin italian kritiku Mantegazza, që e ka ndjekur nga afër krijimtarinë e piktorit durrsak.
Skënderi është mësuar të flasë pak. I pëlqen të dëgjojë e më pas të qëndrojë me orë të tëra përballë një pune dhe të mos e firmosë kurrë atë pa qenë i bindur se ka përfunduar së shprehuri në telajo atë që ka patur brenda në shpirt.
Nuk ka qenë e lehtë rruga artistike e piktorit durrsak, i cili u detyrua të studionte në Liceun “Jordan Misja” të Tiranës pa shkëputje nga puna. E më pas përgatitja në Institutin e Lartë të Arteve (sot Akademia e Arteve) me pedagogët Guri Madhi, Pandi Mele, Zef Shoshi e Bujar Asllani.
Skënder Balaj shkëputet nga Durrësi në vitin 1992, pasi kishte punuar për disa vite si mësues në shkollën e mesme artistike “Jan Kukuzeli”. Punon shumë edhe në brigjet përballë dhe veprat e tij nuk kalojnë pa u vënë re. Djaloshi shqiptar në Cesenatico kishte një fqinj Nobelist.
Komediografi dhe aktori Dario Fo i vendosi punimet e komshiut të ri në oborr, mes pemëve. “Është e vështirë, -shkruan Dario Fo më pas- Është e vështirë që një tablo të duket bukur e varur në pemë, po veprat e Skënder Balajt qëndrojnë mrekullisht… ja një piktor!”,-thekson mjeshtri italian i komedisë.
Tablotë e Balajt kanë përmasa të ndryshme. Ato sjellin kryesisht portrete të malësorëve shqiptarë të jugut dhe të veriut, që shpesh herë i bashkon muzika, njerëz të thjeshtë që i bashkojnë tingujt që ndjehen edhe në pikturën e “Skënder Balajt, piktorit që e tregon muzikën poetikisht”-shkruan një tjetër kritik italian. Veprat e Balajt janë ekspozuar në San Marino, në Akademinë e Romanjas, në Parlamentin Evropian në Strasburg apo në Ambasadën e Shqipërisë në Hagë (Holandë). Që prej 15 vjetësh, atëherë kur u martua me një vajzë nga “vendi i mullinjve” qyteti i Hagës bëhet stacioni i ri i piktorit durrsak.
Çfarë kujton nga ekspozitat? “Ndoshta më shumë Medaljen e Artë në konkursin kombëtar të Italisë me temë ‘Biçikleta’. Ruaj me shumë xhelozi këtë foto”,- tregon Skënderi një kornizë ku shihet së bashku me Marko Pantanin dhe tablonë fituese në qendër të së cilës shihet “Pirati”, siç mbiquhej sportisti i madh Italian që nuk jeton më.
Në muret e studios në Durrës janë varur një sërë tablosh, kryesisht portrete. Edhe në kavalet ka zënë vend një portret malësori i Shqipërisë së Mesme. “Ndoshta i ka ardhur koha të ekspozohet në Durrës. Kam shumë dëshirë të jem pjesëmarrës në një ekspozitë kolektive, mes kolegëve dhe artistëve durrsakë”,- përfundon piktori Skënder Balaj.
/ATSH/





