DURRËS, 1 prill 2014 –  Prokurori i qytetit të Amfisës në Fokida të Greqisë, i cili po heton rrethanat që çuan në vdekjen e 42-vjeçarit shqiptar  Ilia Kareli ndërsa ndodhej në qeli në Nigrita (ne foton poshte), në Serres, Greqia veriore, pritet të lëshojë urdhër-arreste të martën, më 1 prill, njofton gazeta greke në versionin on-line “ekathimerini.com”, e cila i referohet televizionit “Skai”.

Burimet i thanë SKAI-t se po bëhet një hetim nga shërbimi i brendshëm i policisë greke për arsyet e vdekjes së Karelit në qelinë e tij, disa orë pasi u transferua në Nigrita nga burgu i Malandrino-s në Greqinë e mesme, ku kishte goditur me thikë për vdekje një gardian.

Ky hetim ka zbuluar prova që inkriminojnë personelin e burgut të Nigrita-s. Një autopsi në kufomën e Karelit provoi rrahje të vazhdueshme në këmbë dhe në gjoks, si dhe djegie në duar. Brenda disa ditëve të ardhshme, një ekzaminim i mëtejshëm pritet të zbardhë shkakun e saktë të vdekjes, megjithëse raporti paraprak mjekoligjor e bëri të qartë se vdekja lidhje drejtpërdrejt me plagët që kishte marrë.

SKAI tha të martën se shumë gardianë në Nigrita kanë rrëfyer që Kareli u torturua me të mbërritur  në këtë burg para se ta fusnin në qeli, gjë që regjistruar nga një kamera CCTV. Ka fakte se në këtë sulm morën pjesë së paku 10 gardianë, thotë “ekathimerini.com”.

/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/