· Vendet rajonale nënshkruajnë marrëveshje dhe planifikojnë projekte të përbashkëta për të përmirësuar sigurinë dhe besimin e ndërsjellë
Nga Linda Karadaku (Prishtinë), Bedrana Kaletovç (Sarajevë), Miki Trajkovski (Shkup)
DURRËS, 31 mars 2014 – Bashkëpunimi rajonal në Ballkan pas ngjarjeve në Krime, po tërheq vëmendjen e medieve ndërkombëtare, ku, mes të tjerash, vihet në dukje roli pozitiv i Tiranës zyrtare.
Uebsajti “Southeast European Times”, burim qendror lajmesh dhe informacioni rreth Evropës Juglindore në shtatë gjuhë: anglisht, boshnjake, greqisht, kroatisht, maqedonisht, serbisht dhe shqip, që financohet nga Komanda Evropiane e SHBA, boton shkrimin me titull “Kriza e Ukrainës nxit vendet e Ballkanit të bashkëpunojnë”, shoqëruar me foton me diçiturën “Ministri i jashtëm i Shqipërisë Ditmir Bushati dhe homologia e tij kroate Vesna Pushiç nënshkruajnë një marrëveshje partneriteti evropian në Zagreb në 21 mars 2014” (shih ribotimin në “durreslajm.com”).
“Dyrrah”-u e ka konsultuar shkrimin me origjinalin anglisht.
Vendet e Ballkanit po rrisin bashkëpunimin në përgjigje të zhvillimeve në Ukrainë, pasi ekspertët kanë paralajmëruar për pasoja në siguri nga prirjet separatiste.
Shembujt e ri-energjizimit të frymës bashkëpunuese mund të gjenden në disa vende, duke përfshirë Serbinë, Kroacinë, Kosovën, Shqipërinë dhe Maqedoninë.
Po ripërtërihen përpjekje, ndërsa ish-Përfaqësuesi i Lartë në Bosnjë-Hercegovinë Pedi Eshdaun (Paddy Ashdown) paralajmëroi se përzierja e Moskës pas ndërhyrjes në Krime, mund të shkaktonte probleme shtesë në Bosnjë-Hercegovinë.
Presidenti i Republika Srpska Milorad Dodik vizitoi Moskën këtë muaj për të dëgjuar një propozim që RS të marrë kredi nga Moska se sa të jetë pjesë në një kredi të propozuar nga FMN me pjesën tjetër të Bosnjë-Hercegovinës.
"Disa politikanë boshnjakë po luajnë kartën e Moskës, bile, më rrezikshëm nga të gjitha, kartën sllave, në mbështetje të politikave të ndarjes", deklaroi Eshdaun në një seminar të NATO-s mbi Evropën juglindore në kryeqytetin boshnjak të Sarajevës.
"Evropa dhe Perëndimi duhet tani të veprojnë me vendosmëri për ta mbyllur këtë projekt të ri ndarjeje në këtë vend”, pohoi ai.
Ambasada e Ukrainës në Sarajevë kritikoi deklarimet e presidentit, duke vënë në dukje se Dodiku nuk është i përgjegjshëm për politikën e jashtme.
"Të tilla deklarime po krijojnë një atmosferë të hapur armiqësore ndaj Ukrainës dhe kundërshtojnë krejtësisht notat që i tërë komuniteti ndërkombëtar i dha referendumit mbi Krimenë. Është gjithashtu vendimtare të mbahet parasysh se çdo mbështetje e shkeljeve të ligjit ndërkombëtar, agresionit dhe separatizmit mund të ketë një ndikim të fortë negativ mbi paqen dhe stabilitetin në Ballkan", i tha SETimes-it shefi i misionit diplomatik të Ukrainës në Bosnjë-Hercegovinë Oleksandr Oborskij.
Ndërsa pjesa serbe e Bosnjë-Hercegovinës po shqyrton propozimet e Moskës, Serbia tha se është gati të ndihmojë vendet rajonale veçanërisht Bosnjë-Hercegovinën, në integrimin e tyre euroatlantik.
"Stabiliteti i Bosnjë-Hercegovinës, prosperiteti dhe rruga e suksesshme evropiane janë shumë të rëndësishme për Serbinë", deklaroi Stanimir Vukiçeviç, ambasador i Serbisë në Bosnjë-Hercegovinë.
Vukiçeviçi tha se vetëm kur vendet rajonale bëhen pjesë e BE-së, mund të kapërcehen plotësisht paragjykimet që kërcënojnë sigurinë.
Ministri i jashtëm i Shqipërisë Ditmir Bushati vizitoi Zagrebin më 21 mars 2014 për të diskutuar bashkëpunimin në rritje për energjinë dhe infrastrukturën. Të dy vendet nënshkruan një marrëveshje të partneritetit evropian, ndërkohë që Kroacia u zotua se do të mbështesë përpjekjen e anëtarësimit në BE të Shqipërisë.
Të dy vendet po ndërmarrin një mori projektesh të përbashkët, të tilla si zhvillimi i korridorit Adriatik-Ionian.
"Kjo do të krijojë një realitet të ri në rajon", tha Bushati.
Të dy vendet ranë gjithashtu dakord të mbështesin dialogun Beograd-Prishtinë të ndërmjetësuar nga BE-ja për të forcuar paqen dhe sigurinë rajonale.
Vendet e Ballkanit kuptuan se është një nevojë për të shqyrtuar sigurinë dhe konkurrueshmërinë e tyre për shkak të krizës së Krimesë, tha Enri Hide, një lektor në Universitetin Evropian të Tiranës.
"[Kjo sepse] vendet rajonale janë të vogla dhe rrjedhimisht më të ekspozuara ndaj ndryshimeve të papritura të arkitekturës së sigurisë rajonale e globale," i the Hide SETimes-it.
Shqipëria po punon gjithashtu më ngushtë me Kosovën, pasi të dy vendet shpallën se duan të jenë nxitës të evropianizimit të rajonit.
"Ky lloj bashkëpunimi është strategjik për ne, stabilizues për rajonin dhe orientues për të gjithë në rrugën euroatlantike", tha Bushati gjatë vizitës së tij në Prishtinë në 14 mars.
Të dy vendet janë tani në proces të përfundimit të marrëveshjeve shtesë përveç atyre të arritura tashmë në fushat e energjisë, punësimit, kulturës dhe turizmit dhe do të përfshijnë projektet e përbashkëta në infrastrukturë, financë dhe arsim.
Pjesëmarrja në parashikimin e një qasjeje rajonale dhe evropiane për t'u marrë me ndryshimet komplekse të sigurisë, të tilla si rasti i Ukrainës, është i rëndësishëm, tha Marjan Gjurovski, profesor në fakultetin e sigurisë të Shkupit.
"Maqedonia, ka nënshkruar marrëveshje dypalëshe me Shqipërinë dhe Kosovën, që përfshijnë stërvitje të përbashkëta ushtarake dhe takime ekspertësh. Maqedonia po vë gjithashtu në dispozicion të Kosovës qendrat e saj rajonale të trajnimit", tha Gjurovski.
Gjurovski tha se në agjendë është edhe bashkëpunimi mbi hapësirën ajrore, inteligjencën, si dhe përfundimi i projekteve të përbashkët për të zgjeruar më tej stabilitetin dhe besimin e ndërsjellë.
/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





