Tiranë, 30 mars 2014 – Kush e kishte njohur jashtë, zor se do ta besonte se ajo grua e veshur në gri, maniake pastërtie, që bënte punë dore e shkruante në ditar, ishte Nexhmije Hoxha. Gruaja më e pushtetshme e diktaturës, tanimë vuante dënimin në Burgun 325 në Tiranë. Kush e kishte pësuar prej saj, kishte rastin ideal për t’ju kundërvënë, megjithatë Nexhmije Hoxha, së cilës i kishin vënë gjithfarë epitetesh, jo vetëm që e ruante autoritetin e saj edhe në burg, por me pamjen e një “gjysheje të mirë” ajo mënjanonte çdo konflikt. Dëshmitarët okularë që kanë ndarë qelinë me të kanë qenë të rrallë, e në ato raste që kanë dashur të rrëfehen, frika nga pasojat e thënies së të vërtetave, i ka stepur më pas… Kishin dëgjuar për to gjatë kohës që bashkëshortët e plotfuqishëm kishin në dorë fatet e vendit, por nuk e kishin çuar ndërmend se një ditë do të takoheshin për të parën herë, pas hekurave të ftohta të qelive të burgut, me të dënuarat jo të zakonshme… E si të mos mjaftonte ky fakt, habia në vetvete qëndronte te vetë profilizimi i Nexhmije Hoxhës. Gardiania e Burgut 325, ku vuajti dënimin Nexhmije Hoxha e Lenka Çuko, Natasha Maxhari, na tregon një kapitull të panjohur të gruas së ish diktatorit. Ndryshe nga ç’mund të besohej, ajo ishte një grua e komunikueshme, sidomos me të burgosurat e tjera, mes të cilave dy prostituta, të cilat ajo i mori në “patronazh” për t’i “riedukuar”. Ndërsa, ditët i kalonte duke bërë punë dore, thurur triko e çorape, të cilat zakonisht ua dhuronte bashkëvuajtëseve të tjera. Djemtë ishin ata që vinin e takonin më shpesh, duke i sjellë shpesh libra dhe ushqime. Nuk lahej kurrë në dush, ndoshta prej frikës së një atentati të mundshëm, edhe pse gardiania mohon që gjatë kohës së qëndrimit të saj të ketë pasur ndonjëherë ndonjë provokim mes të burgosurave.
Si u bëtë gardiane burgu?
Është e vërtetë që uniforma është burrërore, por mua që në moshë të re më ka tërhequr shumë, e interpretoja si shenjë të autoritetit, realisht. Në fillim, puna në një ambient me gra të dënuara nuk ka qenë e lehtë… Ditët e para të punës ishin të tmerrshme dhe plot emocione, sepse në çdo kohë më duhej të zbatoja rregulloren për secilën prej tyre. Prekesha kur fëmijët duke qarë i kërkonin pas hekurave, e unë lotoja. Nuk ka qenë e lehtë, deri kur ky profesion u bë i imi, njësoj si uniforma që mbaja veshur çdo ditë. Kam ardhur nga Pogradeci, por në detyrë kam qarkulluar në disa burgje, ndërsa mbi 20 vite i kam këtu te Burgu 325.
Keni të bëni me kontingjente të ndryshme të dënuarash, sa e vështirë është të punosh me to?
Të punosh me femrat, ndonjëherë duket e lehtë, por nuk është realisht këtu. Edhe pse psikologjinë e natyrën e secilës mund ta njoh më lehtë se atë të një mashkulli, sërish të qenit e mbyllur në burg i tjetërson njerëzit. Shumë herë jam gjendur e papërgatitur përballë situatave të ndryshme që kanë ndodhur ndër vite, sherre mes të dënuarave, tentativa vetëflijimi etj. dhe këto situata lënë gjurmë. Por, ajo që duhet të bëj është të tregohem sy hapur gjatë gjithë kohës, me kontrollet e duhura sipas rregullores, çdo 10 ose 15 minuta.
Në burg nuk keni pasur vetëm të dënuara normale, të panjohura për publikun, por keni shërbyer këtu edhe gjatë vuajtjes së dënimit të Nexhmije Hoxhës dhe Lenka Çukos. Si e kujtoni ardhjen e tyre në burg?
E kam të fiksuar në kujtesë ditën kur ato të dyja u transferuan këtu në Burgun 325, pasi kishin qëndruar disa kohë në qelitë e paraburgimit të 313-s. Isha në turnin e dytë atë ditë. Pasi zbritën nga furgoni i policisë të shoqëruara nga oficerët, ato hynë në ambientet brenda burgut dhe fillimisht qëndronin të strukura, të vetmuara në një nga qoshet e burgut, që në ato vite ka shërbyer si dyqan. I njoha direkt. Kur iu afrova, Nexhmija ishte e para që më përshëndeti. I thashë që të mos trembeshin sepse për çdo gjë na kishin neve aty…
Cili ishte raporti i personelit me Nexhmijen, vejushën e ish-diktatorit Enver Hoxha? Kishte një trajtim më të veçantë se të tjerat?
Trajtimi për të ishte pa asnjë dallim, njësoj si edhe me të dënuarat e tjera. Tashmë, me rrëzimin e një epoke dhe rënien e diktaturës, edhe pse ishin vitet e brishta postkomuniste, nuk kishte më vend për privilegje dhe trajtesa specifike për njerëz specifikë. Prandaj, dhe për Nexhmije Hoxhën e Lenka Çukon veprimet dhe trajtimi nga ana jonë si personel ishte njësoj si edhe ai me gratë e tjera bashkëvuajtëse.
E keni vëzhguar gjatë regjimit të saj ditor apo natën, si sillej Nexhmija?
Sapo kishte rënë diktatura, a ka pasur përplasje me të burgosurat e tjera… ndonjë provokim? Komunikimin e kishte shumë të rëndësishëm, dhe kjo gjë na ka habitur të gjithëve si personel. Kishte kulturë të gjerë, madje çuditërisht i kishte bërë për vete të gjitha të dënuarat. Shpesh u bënte atyre moralizime, duke u thënë që edukimi e shkollimi ishin shumë të rëndësishme për to, sepse ishin femra. Madje, me dy të burgosura, që ishin prostituta, disi edhe problematike nga sjellja, ajo u afrohej dhe u bisedonte qetë duke u thënë që pasi të dilnin nga burgu, të rifillonin jetën, me mendësi të reja, duke u arsimuar kryesorja. Të gjithë në burg e thërrisnin: Nëna Nexhmije. Besoj jo vetëm për respekt, por edhe për faktin se ishte një nga të dënuarat më të moshuara. Ajo u përgjigjej rregullave të burgut, pa asnjë dallim. Çdo ditë që bëhej apeli në fushë jashtë, ajo do të dilte si të dënuarat e tjera, me përjashtim të rasteve kur kishte raport mjekësor.
Me kë e ndante dhomën?
Në kohën kur erdhi ajo këtu në Burgun 325, dhomat nuk kanë qenë si sot të ndara në hapësira të vogla, por më të mëdha, gati si kapanone, ku rrinin mbi 10 gra të dënuara. Ishte bashkë me Lenka Çukon dhe disa të dënuara të tjera.
/gazeta “Panorama”/





