Nga Frank Shkreli

 

Këtë muaj në Budapest të Hungarisë filloi gjyqi i një prej ish-zyrtarëve më të lartë komunist, i akuzuar për krime që kanë lidhje me vrasjet e ndodhura pas revolucionit anti-komunist të dështuar hungarez, në vitin 1956. Ish-zyrtari quhet Bela Biszku, 92-vjeç dhe është ish-ministër i punëve të Brendshme të regjimit komunist pas revolucionit anti-sovjetik.

Sipas burimeve të mediave të ndryshme hungareze dhe ndërkombëtare, ai akuzohet se kishte gisht në vrasjen e protestuesve paqësorë anti-komunistë dhe anti-sovjetikë. Agjencia e lajmeve “Reuters” njofton se ky është një gjyq me rëndësi për Hungarinë, sepse mund të ndihmojë vendin që të përballet më lehtë me të kaluarën e vet komuniste.

Ndërkohë që Polonia dhe disa vende të tjera ish-komuniste kanë miratuar ligje lustracioni, Hungaria konsiderohet si ndër ato vende të cilat nuk kanë arritur të sigurojnë plotësisht drejtësinë për viktimat e regjimit komunist. Njoftohet se ky gjyq ka tërhequr vëmendjen e medias brenda dhe jashtë Hungarisë dhe se tani zhvillimi i gjyqeve të tilla në atë vend, bëhet i mundur në saje të një ligji të ri hungarez, në bazë të cilit-krimeve të luftës dhe krimeve kundër njerëzimit nuk u skadon kurrë afati.

Partia e Kryeministrit të tanishëm të Hungarisë, z. Viktor Orban, një anti-komunist i vendosur, është shprehur se gjyqe të tilla duhet të ishin mbajtur shumë kohë më parë, duke theksuar se ata që kanë kryer krime serioze gjatë sundimit të regjimit komunist duhet të mbahen përgjegjës njësoj si kriminelët nazistë të luftës. Media vendore thotë se nga pikëpamja e jurisprudencës, ky gjyq përbën një pikë kthese me rëndësi në historinë ligjore të vendit, duke mundësuar kështu që shoqëria hungareze të mësojë, më në fund, të vërtetën mbi krimet e regjimit komunist në Hungari.

Por përveç kësaj, sipas historianit hungarez Tibor Zinner se gjyqi i ish-zyrtarit të lartë komunist hungarez Bela Biszku, sjell një dobi tjetër me rëndësi, pasi shënon fundin e një standardi të dyfishtë, që ndryshe trajtonte krimet e nazizmit dhe ndryshe krimet e komunizmit. Edhe Shqipëria, ndonëse kishte regjimin më të egër komunist në Europën Lindore, është një ndër vendet që ka bërë më pak ose aspak në këtë fushë, në krahasim me vendet e tjera, duke treguar një mungesë vullneti për t’u përballur me të kaluarën e saj komuniste.

Duket sikur shoqëria shqiptare në përgjithësi nuk është aspak e disponuar dhe hiç e interesuar, përfshirë edhe medien shqiptare, për të zbardhur atë histori. Ndërkohë që mediet europiane dhe më gjerë kanë shkruar dhe komentuar gjerë e gjatë për gjyqin në Hungari, si dhe raste të tjera gjyqesh të tilla në ish-vendet komuniste, është interesant fakti se pse media shqiptare, me ndonjë përjashtim aty këtu, nuk flet shumë për fatin e keq të viktimave të regjimit komunist në Shqipëri dhe as nuk përmend kurrë raste të tilla gjyqesh në vendet ish-komuniste?

Pas më shumë se 20-viteve që prej rënies së komunizmit në Europë, me përjashtim të Polonisë, Çekisë, Gjermanisë dhe të ndonjë vendi tjetër, vendet e tjera ish-komuniste nuk kanë miratuar ligje të nevojshme për t’u përballur me të kaluarën, ndërkohë që gjykatat e tyre janë treguar të paafta për të dënuar krimet kundër njerëzimit dhe torturat e diktaturës komuniste. As Perëndimi nuk ka treguar ndonjë interesim të madh për të dënuar krimet komuniste, siç kishte bërë me dënimin e krimeve naziste pas Luftës së Dytë Botërore.

Kjo, sipas ekspertëve, ka ndodhur për arsye se nazistët kanë kryer krime kundër popujve të tjerë, e si e tillë nevojitej një përgjigje ndërkombëtare ndaj krimeve të nazizmit, ndërsa komunistët kanë torturuar dhe kanë vrarë popullin e vet. Mosdënimi i krimeve të komunizmit është një çështje aq shqetësuese anë e mbanë Europës, sa që ka shtyrë disa ekspertë ligjorë dhe politikanë europianë, pjesëmarrës në një konferencë ndërkombëtare mbajtur kohë më parë në Bruksel, të bëjnë thirrje për krijimin e një gjykate ndërkombëtare për të vendosur drejtësinë në vend për krimet komuniste anë e mbanë Europës.

Konferenca e Brukselit ka theksuar rëndësinë e nevojës për vendosjen e drejtësisë për krimet komuniste, duke marrë parasysh krizën e sotme ekonomike, si dhe kërcënimet e rreziqet që vijnë nga lëvizjet ekstremiste të kohëve të fundit në Europë. Askush nuk kërkon hakmarrje për ato që kanë ndodhur, madje as vet ata që kanë vuajtur, e që kanë pësuar trajtimet më çnjerëzore. Kërkohet vetëm drejtësi morale për viktimat e komunizmit. Të këqijat e atij sistemi, përfshirë edhe krimet ndaj kundërshtarëve, po injorohen nga shoqëria, por nuk duhet të harrohen.

Të pakën pjesa më e madhe e botës demokratike e pranon nevojën për t’i kundërshtuar ato barbarizma dhe për të njohur e kujtuar viktimat e komunizmit, megjithëse kompensimet e plota morale dhe materiale ndoshta janë të pamundura për t’u realizuar për shumë prej tyre. Viktimat e komunizmit në Shqipëri dhe të vendeve të tjera ish komuniste po presin për pothuaj një çerek shekulli për drejtësi. Fatkeqësisht, bazuar në këtë përvojë historike, ata mund të presin për gjithë jetën!

http://www.shekulli.com.al/web/p.php?id=43602&kat=92