Kinë, 19 mars 2014 – Vetëm shumë pak veta do ta besonin që një qen mund të shitej jo pak, por 1.9 milion dollarë. Ky është çmimi që pagoi një blerës anonim për një qen roje Tibetian (qeni në të majtë të fotos). Blerja e qenit u realizua gjatë një panairi në provincën kineze të Zhejiang-ut. Çmimi me të cilin u ble qeni mund të konsiderohet vërtet rekord.

Qentë e kësaj race, sipas traditës të vendeve të lindjes, konsiderohen të shenjtë. Por duket se nuk ka qenë kjo arsyeja që e shtyu sipërmarrësin 56 vjeçar të blinte qenin. Më shumë sesa për aspektin shpirtëror, blerësi u shtyu të harxhonte një shumë të majme, pasi dëshiron të merret me rritjen e qenve të kësaj race.

Ekzemplari që u ble gati 2 milion dollarë është 180 cm dhe peshon 90 kg. Personi, që e kishte rritur, shiti edhe një tjetër ekzemplar të po kësaj race, por këtë herë me një çmim më “modest”, vetëm 1 milion dollarë.    

/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/