Tiranë, 19 mars 2014 – Komisioni i Disiplinës pranë FSHF-së ka qenë mjaft i ashpër në vendimet e dhëna sot lidhur me ngjarjet e dhunshme të shënuara ditët e fundit në stadiumet shqiptare. Komisioni ka vendosur për përjashtimin nga kampionati dhe zbritjen në një kategori më poshtë për ekipin e Bylisit, ndërsa presidenti i këtij klubi ëhstë përjashtuar përgjithmonë nga aktivitetet sportive. Fundjavën e shkuar, Besnik Kapllanaj, në rolin e Presidentit të Klubit të Ballshit, goditi me dru në kokë delegatin e FSHF-së, Besnik Çela. Komisioni gjithashtu vendosi që ekipit të Laçit t’i jepen 3 pikët në tavolinë.
Në të njëjtën kohë, Komisioni i Disiplinës pranë FSHF-së ka marrë edhe disa vendime të tjera për të ndëshkuar të gjithë personat dhe klubet të cilat kanë dëshmuar sjellje jo sportive.
Kështu zyrtari i KF “Vllaznia”, Armir Grima, per sjellje jo sportive ndaj zyrtareve te ndeshjes denohet me pezullim nga aktiviteti deri ne fund te Kampionatit bazuar ne nenin 49.2/a te KDS; ekipet e KF “Vllaznia”, KF “Tirana”, KF “Kukesi”, KF “Besa”, për sjellje të gabuar të tifozerive të tyre dhe hedhje të sendeve të forta në fushë, dënohen me 50.000 lekë gjobë bazuar në nenet 66.1 dhe 66.2 të KDS; ekipi i KF “Skrapari”, për mos përmbushje të përgjithësive dhe sjellje të gabuar të tifozerisë së saj dënohet me 20.000 lekë gjobë bazuar në nenin 65.1 dhe 136 të KDS.
Ndeshjet e mbetura, pikët në tavolinë ndaj Bylisit
Meqenëse ka kaluar gjysma e ndeshjeve të kampionatit, sipas rregullores së aktivitetit skuadrat që në të ardhmen kanë të parashikuara ndeshje për t’i luajtur me Bylisin e përjashtuar tashmë nga Superiorja, do t’i marrin tri pikët në tavolinë. Po kështu, rezultatet e ndeshjeve të Bylisit, të luajtura deri tani, nuk ndryshojnë, as pikët e deritanishme. Thënë ndryshe, në javët e mbetura të kampionatit do të kemi nga një ndeshje më pak, me nga një skuadër pushim deri në fund të fazës së tretë. I pari që do ta provojë këtë gjë do të jetë ekipi i Skënderbeut, që në javën e 25-të të Superiores duhej të luante në Korçë ndaj mallakastriotëve.
/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





