Tiranë, 19 mars 2014 – Kërkesat e shqiptarëve për azil politik në Gjermani janë të shumta dhe janë kthyer në një shqetësim për këtë vend. Këto deklarata i ka bërë ambasadori gjerman, Helmut Hoffman, në një takim me zëvendësministren e Brendshme, Elona Gjebrea. Gjithashtu ai, theksoi se pavarësisht fluksit të madh të kërkesave për azil nga shtetas shqiptarë, pak prej tyre do të miratohen.

Ambasadori gjerman tha se, shumica e azilkërkuesve janë emigrantë ekonomikë dhe jo të përndjekur politik. Hoffman bëri të ditur se një rol të rëndësishëm në shtimin e kërkesave për azil politik luan fenomeni i gjakmarrjes. Ai bëri apel që viktimat e këtij fenomeni të merren në mbrojtje. Gjithashtu ai bëri thirrje që të bëhet kujdes lidhur me kërkesat për azil, pasi ata mund të rrezikojnë liberalizimin e vizave.

“Në qoftë se do të shikojmë numrin e azilkërkuesve në Gjermani do shohim se vetëm një numër i vogël arrijnë të marrin azil në vendim tim. Po të shikojmë statistikat nga 100 azilkërkues i aprovohet kërkesa vetëm 1 personi”,- u shpreh ambasadori Hoffman.

Ai tha, se kërkesat për azili po kthehen në një biznes për shumë njerëz që shfrytëzojnë këtë si një mënyrë për të marrë lejen e qëndrimit në Gjermani. Ndërkohë zëvendës ministrja Gjebrea u shpreh se Ministria e Brendshme dhe institucionet e tjera përgjegjëse do të koordinohen dhe intensifikojnë punën për të mbajtur nën kontroll liberalizimin e vizave.

/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/